Bisedimet e paqes midis Iranit dhe SHBA-së u ndërprenë për shkak të një “hendeku midis mendimeve mbi dy ose tre çështje të rëndësishme”, ka njoftuar ministria e jashtme e Teheranit.
“Në fund të fundit, bisedimet nuk rezultuan në një marrëveshje”, tha zëdhënësi Esmaeil Baghaei për televizionin shtetëror të Iranit.
Ai nuk dha detaje të mëtejshme rreth asaj se cilat ishin këto çështje.

Baghaei njoftoi se për disa tema negociatorët amerikanë dhe iranianë “në fakt arritën mirëkuptim të ndërsjellë”.
Raportohet se ata diskutuan për Ngushticën e Hormuzit, megjithëse Baghei nuk përmendi nëse diskutuan për armët bërthamore.
Ndryshe, zëvendëspresidenti amerikan ka deklaruar se negociatorët amerikanë po largohen pa një marrëveshje paqeje.
Duke folur pas 21 orësh bisedimesh paqeje në Pakistan, JD Vance tha se negociatorët iranianë “kanë zgjedhur të mos i pranojnë kushtet tona”.
“Pra, ne kthehemi në SHBA, pasi nuk kemi arritur një marrëveshje”, deklaroi Vance. /Telegrafi/





