Një sulm me dron nga Iran ka goditur rafinerinë e naftës SAMREF në Yanbu, e cila konsiderohet më e rëndësishmja në bregun e Detit të Kuq.
Autoritetet saudite po vlerësojnë ndikimin e sulmit, ndërsa qyteti port mbetet nën monitorim të rreptë.
Sulmi vjen pas një përshkallëzimi të tensioneve në Lindjen e Mesme, gjegjësisht pas një sulmi izraelit në fushën gjigante të gazit South Pars në Iran, shkruan aljazeera.

Si pasojë, çmimet e naftës në tregjet botërore janë rritur ndjeshëm, duke kaluar 114 dollarë për fuçi Brent.
Ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e përshkallëzimit të konflikteve në rajon, përfshirë kërcënimet ndaj rrugëve kyçe të transportit detar si Ngushtica e Hormuzit, një pikë strategjike për eksportet e energjisë.
Në këtë kontekst, impiante të tjera në Katar, Kuvajt dhe Abu Dhabi kanë pezulluar aktivitetet për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
Ky zhvillim vjen ndërsa Lindja e Mesme përballet me një valë sulmesh ndaj infrastrukturës energjetike, duke rritur pasigurinë për tregjet globale dhe stabilitetin rajonal. /Telegrafi/





