Barcelona është e vendosur të përforcojë repartin defensiv, pasi ka pësuar gol në çdo ndeshje të këtij sezoni në Ligën e Kampionëve. Objektivi kryesor i klubit katalanas është mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni.
Megjithatë, katalanasit po kërkojnë mënyra për të ulur çmimin e kartonit të italianit, për të cilin Inter kërkon rreth 60-80 milionë euro.
Është sugjeruar se mund të arrihet një marrëveshje e tipit “lojtar plus para”, ku Dani Olmo dhe Ferran Torres janë emra që mund të interesojnë klubin zikaltër.
Megjithatë, së fundmi ka dalë në pah se Barcelona është e gatshme të përfshijë në marrëveshje edhe mbrojtësin e ri të krahut të djathtë, Hector Fort.
Klubi katalanas tashmë ka zhvilluar bisedime me Bastonin dhe ka arritur një marrëveshje paraprake për kontratën me 26-vjeçarin.
Sipas gazetarit Matteo Moretto në RadioMarca, Fort është një lojtar për të cilin Inter ka “interes të madh”.
19-vjeçari ka treguar potencial në fazën ofensive si me Barcelonën ashtu edhe me Elche, duke regjistruar dy gola dhe dy asistime në vetëm 12 paraqitje këtë sezon.
Aktualisht, ai është i huazuar te skuadra e njohur si Los Franjiverdes, pasi sezonin e kaluar nuk gjeti hapësira të mjaftueshme nën drejtimin e Hansi Flick.
Moretto shton gjithashtu në X se Inter e ka ndjekur Fort prej kohësh dhe beson se ai ka një të ardhme të ndritur.
Sipas raportimeve, një ofertë prej rreth 55 milionë eurosh plus kartonin e Fort mund të jetë e mjaftueshme për të finalizuar marrëveshjen me Interin./Telegrafi/






