Imeri: Vuçiqi po rikthehet te narrativa e viktimizimit pas akuzave për manipulim zgjedhor në Serbi

Profesori universitar, Dorajet Imeri, ka komentuar zhvillimet e fundit në Serbi, duke e cilësuar si përpjekje për viktimizim retorikën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me pretendimet për rrezikim të infrastrukturës së gazit. Sipas Imerit, deklaratat e Vuçiqit për gjetjen e eksplozivëve pranë një tubacioni që lidh Serbinë me Hungarinë vijnë në një moment kur […]

Nacionale

Profesori universitar, Dorajet Imeri, ka komentuar zhvillimet e fundit në Serbi, duke e cilësuar si përpjekje për viktimizim retorikën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me pretendimet për rrezikim të infrastrukturës së gazit.

Sipas Imerit, deklaratat e Vuçiqit për gjetjen e eksplozivëve pranë një tubacioni që lidh Serbinë me Hungarinë vijnë në një moment kur ai përballet me kritika të forta të brendshme.

Ai thekson se presidenti serb është akuzuar së fundmi për manipulim të zgjedhjeve, proces që, sipas raportimeve, është shoqëruar edhe me incidente ndaj komisionerëve dhe gazetarëve.

Në këtë kontekst, Imeri vlerëson se Vuçiqi po përdor një strategji të njohur politike për të zhvendosur vëmendjen publike, duke ndërtuar një narrativë kërcënimi dhe viktimizimi.

Ai gjithashtu përmendi rolin e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, për të cilin tha se mund të jetë ndikuar nga informacionet e përcjella nga pala serbe lidhur me rastin e pretenduar.

“Vuçiqi, sigurisht, do të vijojë me përpjekjet e tij viktimizuese, por rajoni dhe liderët e tij nuk guxojnë të përqafojnë logjikën paranojake që sjell destabilitet dhe pasiguri”, ka deklaruar Imeri.

Deklaratat e presidentit serb për zbulimin e mjeteve shpërthyese pranë infrastrukturës kritike nuk janë shoqëruar ende me prova publike apo konfirmime të pavarura, ndërsa reagimet në rajon dhe më gjerë mbeten të kujdesshme.