I ka shpëtuar disa herë atentateve, ekstradohet nga Italia “Leksi i druve”

Aleks Ndreka, i njohur ndryshe si “Leksi i druve”, është ekstraduar këtë të enjte (9 prill 2026) nga Italia drejt Shqipërisë. Ndreka ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza” në korrik 2023 dhe ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “pjesëmarrje në grup të strukturuar […]

Nacionale

Aleks Ndreka, i njohur ndryshe si “Leksi i druve”, është ekstraduar këtë të enjte (9 prill 2026) nga Italia drejt Shqipërisë.

Ndreka ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza” në korrik 2023 dhe ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “sigurim kushtesh dhe mjetesh për të kryer vrasje”.

Ai u arrestua në Itali më 7 qershor 2024, në aeroportin e Malpensës në Milano.

I përfshirë në hetimet e SPAK dhe disa atentate

Emri i Aleks Ndrekës ka dalë në hetimet e SPAK, ku dyshohet se ka qenë objektiv i një atentati të organizuar nga Arjan Tuku. Ai rezulton të ketë qenë disa herë shënjestër e sulmeve me armë zjarri dhe atentateve të dështuara ndër vite, përfshirë edhe një tentativë të dyshuar me dron.

Një nga ngjarjet më të rënda është ajo e vitit 2020, kur Ndreka u plagos në një atentat në superstradën Lezhë–Laç. Edhe pse i plagosur, ai arriti të largohej nga vendi i ngjarjes dhe të paraqitej vetë në spitalin rajonal të Lezhës për të marrë ndihmë mjekësore. Autorët në atë rast arritën të zhdukin gjurmët, pasi dogjën automjetin në fshatin Pllanë.

Ndreka njihet gjithashtu për përplasjet me ish-deputetin socialist Arben Ndoka, konflikte që sipas burimeve janë mbyllur përmes një pajtimi në kishë me ndërmjetësimin e Ardian Nikulajt, i cili më vonë u ekzekutua.

Sipas hetimeve, Aleks Ndreka dyshohet se ka pasur rol në sigurimin e informacioneve për vendndodhjen e disa personave, mes tyre Dorian Duli, Ibrahim Lici dhe Genc Tafili. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar me Prekë Kodrën për organizimin e atentateve ndaj tyre./Vizion+