I dënuar me 9 vite burg nga GJKKO, kapet 37-vjeçari për trafik troge

Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin e koduar “Targeti”, duke vënë në pranga një 37-vjeçar të dënuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Në pranga ka rënë shtetasi Valmir Polisi, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me 9 vite e 4 muaj burgim për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas Policisë, arrestimi u bë si rezultat i një operacioni të organizuar nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pasi u sigurua informacion për vendndodhjen e tij.

37-vjeçari u kap në një zonë të thellë të fshatit Pishkash, ku dyshohet se ishte fshehur për t’i shmangur drejtësisë. Sapo ka konstatuar praninë e efektivëve të policisë, ai ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe arrestuar nga forcat e rendit.

Nga dënimi i dhënë nga GJKKO, Valmir Policisë i kanë mbetur për të vuajtur edhe 4 vite, 7 muaj e 18 ditë burgim.

Policia bën me dije se 37-vjeçari do t’i dorëzohet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për kryerjen e procedurave të mëtejshme.