I akuzuari për sulmin terrorist në Banjskë po hetohet nga PSRK edhe për një vepër tjetër penale

I akuzuari për sulmin terrorist në Banjskë, Dushan Maksimoviq, po hetohet nga Prokuroria Speciale edhe për një vepër tjetër penale. Kjo është bërë e ditur në seancën e datës 18.03.2026, kur Maksimoviq po jepte mbrojtjen e tij rreth akuzave të Prokuro...

Nacionale

I akuzuari për sulmin terrorist në Banjskë, Dushan Maksimoviq, po hetohet nga Prokuroria Speciale edhe për një vepër tjetër penale.

Kjo është bërë e ditur në seancën e datës 18.03.2026, kur Maksimoviq po jepte mbrojtjen e tij rreth akuzave të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Banjskë.

Sulmi terrorist në Banjskë ka ndodhur më 24.09.2023, rast nga i cili kishte mbetur i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Derisa ishte duke u marrë në pyetje nga prokurori Naim Abazi, në disa foto të prezantuara, i akuzuari Maksimoviq tha se rreth këtyre fotove do të shkojë të intervistohet nesër (më 19.03.2026) në Prokurorinë Speciale.

Një gjë të tillë e konfirmoi edhe avokatja e të akuzuarit, Jovana Filipoviq, në seancën kur ishte duke dhënë mbrojtjen i akuzuari për sulmin terrorist në Banjskë.

KALLXO merr vesh se Maksimoviq po dyshohet edhe për barrikadat që i kishin vendosur grupet e qytetarëve serbë në veri të Kosovës.

Ajo tha se rreth këtyre foto-provave që po i prezantohen nga prokurori Naim Abazi nesër, më 19.03.2026, do të japë përgjigjet e tij në Prokurorinë Speciale i mbrojturi i saj.

Për rastin “Banjska”, pos Maksimoviqit po akuzohen edhe Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq. Në shqyrtimin kryesor më 17.04.2025 ata nuk e pranuan fajësinë lidhur me veprat penale që u vihen në barrë.

Çka thotë aktakuza e Prokurorisë për rastin “Banjska”?

Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Sipas aktakuzës, mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.

Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.

Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.

“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë” – thuhet në këtë dosje.

Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.

Në grupin kriminal të strukturuar të udhëhequr nga Radoiçiq janë këta të akuzuar. Millan Radoiçiq, Vladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Milosavleviq, Lazar Smigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Krstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Millosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Millan Nedelkoviq, Nikolla Iliq, Vlladan Iliq, Radule Steviq dhe personi juridik “Rad D.O.O.”.

Lidhur me rastin, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, janë në paraburgim që nga shtatori i vitit 2023.

Në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në zonën e Zveçanit njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejt brendisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.

Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.

Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.

Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd.