​Hiqen kufizimet për vizita për një person te Thaçi, por ato do të monitorohen

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë hequr kufizimin për vizita të një personi, por me kusht që vizitat të monitorohen. Gjykatësi i vetëm, Christopher Gosnell në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve në rastin për pengim të drejtësisë, ka lës...

Nacionale

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë hequr kufizimin për vizita të një personi, por me kusht që vizitat të monitorohen.

Gjykatësi i vetëm, Christopher Gosnell në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve në rastin për pengim të drejtësisë, ka lëshuar një vendim mbi rishikimin e kushteve të paraburgimit të Hashim Thaçit, raporton KosovaPress.

Në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës thuhet se “gjykatësi i vetëm hoqi ndalimin për vizitat jo të privilegjuara nga një person për të cilin më parë ishin vendosur kufizime, me kusht që vizitat të monitorohen”.

Gjykatësi Gosnell la në fuqi kufizimet ekzistuese për vizitat jo të privilegjuara tek Thaçi ndaj disa individë të caktuara, që siç thuhet në njoftim “me konstatimin se ato ishin ende të domosdoshme dhe proporcionale”.

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë kanë përfunduar dëshmitë e prokurorisë.

Dhomat e Specializuara kanë njoftuar javën e kaluar se çdo mocion i mbrojtjes për rrëzimin e akuzave duhet të dorëzohet deri më 23 mars 2026, dhe çdo përgjigje e ZPS-së në lidhje me to deri më 25 mars 2026.

Deklaratat hyrëse të Mbrojtjes do të bëhen me 7 prill 2026, ndërkaq deri më 24 prill do të dëgjohen dëshmitarët e ekipeve mbrojtëse. /kp/