Albulena Haxhiu ka marrë zyrtarisht detyrën si ushtruese e presidentes së Kosovës, pas dorëzimit të mandatit nga Vjosa Osmani.
Ceremonia e pranimit të detyrës është zhvilluar në kabinetin e presidentes, ndërsa nga mesnata Haxhiu do të ushtrojë këtë funksion të lartë shtetëror.
Në deklarimin e saj, Haxhiu e cilësoi këtë përgjegjësi si një obligim kushtetues, duke theksuar se do të udhëhiqet plotësisht nga ligji dhe rendi kushtetues i vendit.

Haxhiu gjithashtu i bëri thirrje deputetëve të Kuvendit që të veprojnë me përgjegjësi dhe të mos e zvarrisin procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
“Tani rrethanat kushtetuese imponojnë që kryetari i Kuvendit të jetë ushtrues detyre dhe zotohem se do të veproj me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Uroj që Kuvendi të zgjedhë sa më parë presidentin apo presidentin e Kosovës. Ju bëj thirrje deputetëve që sa më parë të ketë një zgjidhje për presidentin dhe le t’i lënë anash inatet politike”, ka thënë Haxhiu.
Posti i ushtruesit të detyrës së presidentit nga Albulena Haxhiu nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.
Zgjedhja e presidentit të ri dështoi në fillim të muajit të kaluar pikërisht për shkak të mungesës së një marrëveshjeje mes partive.
Dy kandidatë të paraqitur nga partia në pushtet, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, nuk u hodhën fare në votim në mungesë të kuorumit gjatë një seance më 5 mars.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.





