Nëse Gjykata Kushtetuese nuk merr një vendim përfundimtar deri në afatet e përcaktuara dhe masa pezulluese vazhdon, atëherë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, do të marrë automatikisht detyrën e ushtrueses së detyrës së Presidentes.
Kështu ka deklaruar ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, duke sqaruar pasojat kushtetuese të zgjatjes së masës pezulluese.
Sipas tij, masa pezulluese mund të zgjasë deri në tre muaj nga momenti i pranimit të kërkesës.

“Po maksimumi mund të zgjasë tre muaj prej marrjes së kërkesës. Nëse nuk mundet me pru një vendim meritor, atëherë shkon deri në tre muaj”, theksoi Kryeziu në “Përballje Podcast” me kreyredaktorin e Telergafit, Muhamet Hajrullahu.
Dekreti në fuqi dhe pezullimi i Kuvendit
Kryeziu thekson se, pavarësisht masës pezulluese, dekreti i presidentes tashmë ka hyrë në fuqi, duke krijuar pasoja konkrete për funksionimin e institucioneve.
“Dekreti ka hyrë në fuqi… deputetët nuk kanë të drejtë të shkojnë në Kuvend”, u shpreh ai.
Ai shton se në këtë situatë, proceset parlamentare mbeten të pezulluara deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Kryeziut, nëse masa pezulluese vazhdon edhe pas datës 4 prill dhe nuk ka një vendim përfundimtar, atëherë aktivizohet mekanizmi kushtetues për zëvendësimin e përkohshëm të presidentit.
“Pas katër prillit, në mënyrë automatike, kryetarja e Parlamentit bëhet ushtruese e detyrës”, deklaroi ai.
Ai sqaroi se kjo pozitë është e përkohshme dhe ka kufizim kohor.
“Afati i saj është maksimumi gjashtë muaj”, theksoi Kryeziu shkruan Telegrafi.
Për më shumë ndiq podcastin e plotë. /Telegrafi/.





