Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke vlerësuar se kjo çështje nuk ka qenë prioritet për qeverinë që nga fillimi i mandatit.
Në emisionin “Debat Plus”, Haradinaj deklaroi se zhvillimet e deritanishme tregojnë mungesë serioziteti nga ana e Kurtit në trajtimin e kësaj çështjeje.

“Duke u nisur nga ajo çka ka ndodhur deri tani, shihet që Kurti nuk e ka pasur me rëndësi zgjedhjen e presidentit. Po të ishte prioritet, marrëveshjet politike do të ishin bërë që në kohën e formimit të qeverisë, duke përfshirë palët e interesuara në koalicion dhe edhe çështjen e presidentit,” u shpreh Haradinaj.
Ai shtoi se mungesa e një marrëveshjeje të tillë ka sjellë situatën aktuale politike, duke paralajmëruar se vendi mund të përfundojë në zgjedhje të reja.
“Kësisoj përfundojmë në zgjedhje,” theksoi ai.
Deklaratat e Haradinajt vijnë në një kohë kur afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit janë duke u afruar dhe partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje përfundimtare.





