Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për të larguar nga mbështetja financiare projektin e Autostradës së Dukagjinit, duke e cilësuar këtë si një hap të gabuar me pasoja për zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas Haradinajt, gjatë kohës sa ai drejtonte qeverinë, projektimi i kësaj autostrade ishte një hap konkret drejt realizimit të një prej projekteve më të rëndësishme zhvillimore për Kosovë.
Ai theksoi se vendimi i Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, për ta larguar këtë projekt nga financimi, paraqet një pengesë serioze për zhvillimin ekonomik, turizmin dhe zhvillimin rajonal.

Haradinaj theksoi se kjo nuk është vetëm çështje buxheti, por çështje e prioriteteve, duke shtuar se çdo projektim i përfunduar është bazë për investime dhe ndërtim konkret.
Sipas tij, ndërprerja e mbështetjes financiare do të sjellë vonesa, humbje kohe dhe mundësi të humbura për qytetarët e rajonit të Dukagjinit.
“Kjo autostradë do të lidhte Istogun, Pejën, Deçanin, Gjakovën, Rahovecin, Suharekën dhe Prizrenin në një korridor të vetëm ekonomik. Do të ulte kostot për bizneset, do të rriste investimet dhe do ta kthente Dukagjinin në një zonë shumë më konkurruese”, ka shkruar Haradinaj.
Në fund, Haradinaj ngriti pyetjen se pse një projekt i tillë, që sipas tij i shërben drejtpërdrejt qytetarëve dhe ekonomisë, është larguar nga financimi, duke theksuar se banorët e Dukagjinit kanë nevojë për zhvillim konkret dhe jo arsyetime.





