Hakeri hyri në serverin e FBI-së me dosjet e Epstein

Një haker i huaj tre vite më parë hyri në sistemin e FBI-së dhe pati qasje në dokumente të besueshme lidhur me hetimin ndaj pedofilit amerikan, Jeffrey Epstein. Hyrja ndodhi në zyrën e FBI-së në New York, sipas dokumenteve të sapobotuara të Departamentit të Drejtësisë dhe një burimi të njohur me rastin, shkruan Reuters.

Kjo është hera e parë që publikohen detaje për atë që ka pasur qasje në server, duke përfshirë pretendimet se bëhet fjalë për një haker të huaj. FBI e përshkroi incidentin në një deklaratë si “i izoluar”. “FBI ka kufizuar qasjen për aktorin keqdashës dhe ka riparuar rrjetin. Hetimi vazhdon, kështu që në këtë moment nuk kemi komente të mëtejshme”, thuhet në deklaratë.

Edhe pse burimi thotë se sulmi ishte veprim i një krimineli kibernetik dhe jo i një qeverie të huaj, incidenti nxjerr në pah vlerën potenciale të dosjeve të Epstein për inteligjencën. Publikimi i dokumenteve të Departamentit amerikan të Drejtësisë zbuloi lidhjet e të ndjerit financues me individë të shquar nga politika, financat, shkenca dhe biznesi, gjë që ka nxitur hetime në shumë vende.