Prokuroria e Mitrovicës, tre muaj më parë, e kishte udhëzuar Policinë e Kosovës të zhvillojë hetime lidhur me veprimtarinë e nxjerrjes ilegale të thëngjillit në zonat e tri fshatrave të Vushtrrisë: Strovc, Bivolak dhe Zhilivodë.
Emisioni #KallxoPernime transmetoi (15.03.2026) pamjet ekskluzive të arrestimeve të personave të dyshuar për eksploatimin ilegal të thëngjillit, si dhe të sekuestrimit të makinerive që dyshohen se janë përdorur për nxjerrjen e thëngjillit.
Aksioni filloi në mëngjesin e datës 11.03.2026. Hetues nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe prokurori i Mitrovicës takohen në afërsi të Obiliqit dhe nisen për në disa zona – atje ku kishin zhvilluar hetime. Ata tashmë kanë siguruar pamje nga droni të makinerive të rënda duke punuar në zonën e thëngjillit, po ashtu edhe pamje të bartjes dhe nxjerrjes së tij për shitje.
Pamja e parë e zonës është e tmerrshme. Viteve të fundit aty kanë vdekur tre punëtorë duke punuar. Përveç për punëtorët, zona është e rrezikshme edhe për banorët dhe fëmijët që frekuentojnë atë zonë.
Në ato vende, që nga vitet e pasluftës, vazhdimisht është eksploatuar ilegalisht thëngjilli, i cili më pas shitej në tërë Kosovën.
Prokurori i Prokurorisë në Mitrovicë, Muharrem Prekazi, tregon se ka siguruar urdhëresat e gjykatës për të kryer kontrollin e vendeve të dyshuara për zhvillim të aktivitetit kriminal.
“Kemi punuar për tre muaj rresht në lidhje me një hetim që ka të bëj me nxjerrjen ilegale të thëngjillit në tri fshatra të Vushtrrisë. Kemi siguruar prova të mjaftueshme për përfshirjen e disa personave në këtë veprimtari. Nga masat e përdorura kemi faktuar edhe makinerinë e cila është përdorur në ato zona”- tha Prekazi.
Prokurori, hetuesit policorë dhe zyrtarët e njësive speciale shpërndahen nëpër zonë dhe fillojnë identifikimin e pajisjeve që janë hasur duke punuar në fazën e hetimit. Dyshimet janë se makineritë përdoreshin gjatë ditës për nxjerrjen e thëngjillit, ndërsa gjatë natës vendoseshin në oborrin e të dyshuarve.
“Nga hetimet disamujore kemi siguruar dëshmi dhe sot do t’i sekuestrojmë secilën makineri që gjendet në shkresat e rastit se është parë duke punuar në zonën e thëngjillit. Disa nga to gjenden në disa vende këtu, mirëpo disa nuk i kemi hasur ende. Mirëpo i kemi të evidentuara dhe do t’i sekuestrojmë ditëve në vazhdim” – theksoi Prekazi.

Zonat e tri fshatrave të Vushtrrisë: Strovc, Bivolak dhe Zhilivodë – pronarët e pronave, kur nuk e kanë eksploatuar personalisht thëngjillin, i kanë lëshuar me qira pronat e tyre për persona të tjerë, por askush nuk është kujdesur që të bëjë rehabilitimin e pronave. Si rrjedhojë, ato kanë mbetur të shkatërruara.
“Unë kam biseduar edhe me ekspertë të fushës, por ata më kanë thënë se shkatërrimi është aq i madh sa nuk e di a mundet me u kthye në gjendjen e mëparshme”- tha prokurori Prekazi.
Gjatë aksionit policia fillimisht ndaloi dy kamioneta të cilat ishin të zbrazura, por shoferët e tyre thanë se janë duke shkuar me ble thëngjill.
“Unë ju tregova se jam duke shkuar me ble thëngjill dhe kjo është hera e parë”- thotë shoferi i kamionetës.
“Jo nuk është hera e parë, mos u ngut, por edhe me ble është e ndaluar dhe këtë e dimë të gjithë”- ia kthen prokurori Prekazi, duke i treguar se edhe ata do të procedohen penalisht.
Nga tetë personat e arrestuar, tre prej tyre janë ndaluar për 48 orë dhe prokuroria për ta ka kërkuar edhe masën e paraburgimit, pasi ata dyshohet se kanë qenë direkt të involvuar në eksploatim. Ndërsa pesë të tjerët, pasi janë intervistuar, janë liruar në procedurë të rregullt./Kallxo.
Gjatë aksionit, po ashtu janë sekuestruar 3 ekskavatorë, gjashtë kamioneta dhe një traktor, që dyshohen se janë përdorur për kryerjen e veprave penale.
Aksioni i Prokurorisë së Mitrovicës, bashkë me hetuesit e Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Rënda, kundër eksploatuesve ilegalë të thëngjillit në zonën e Vushtrrisë, ka shpërfaqur edhe një herë pamjet shkatërruese të asaj zone, ndërsa kthimi në normalitet kërkon shumë punë.
Organet e rendit premtojnë se do të kthehen përsëri në zonë nëse fillojnë eksploatimet ilegale dhe nuk do të lejojnë që veprimtaria ilegale të vazhdojë tutje.





