Goditje për kombëtaren e Shqipërisë, konfirmohet mungesa e Rey Manaj ndaj Polonisë

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Rey Manaj, nuk do të jetë në dispozicion të Shqipërisë për ndeshjen e rëndësishme ndaj Polonisë, që zhvillohet më 26 mars në Varshavë. Lajmi është konfirmuar pas raportit mjekësor të publikuar nga klubi i tij turk, Si...

Sport

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Rey Manaj, nuk do të jetë në dispozicion të Shqipërisë për ndeshjen e rëndësishme ndaj Polonisë, që zhvillohet më 26 mars në Varshavë.

Lajmi është konfirmuar pas raportit mjekësor të publikuar nga klubi i tij turk, Sivasspor.

Manaj do të mungojë në gjysmëfinalen e playoffit për kualifikimin në Kupën e Botës 2026, një përballje shumë e rëndësishme për kuqezinjtë në rrugën drejt turneut botëror.

Sipas njoftimit zyrtar të klubit turk, sulmuesi shqiptar ka pësuar një dëmtim serioz në pjesën e pasme të kofshës së majtë.

Ekzaminimet mjekësore të kryera me rezonancë magnetike kanë konfirmuar një çarje të tendinit brenda muskulit të gradës 3c, e shoqëruar gjithashtu me gjakderdhje në zonën e dëmtuar.

Në raportin mjekësor të publikuar nga Sivasspor thuhet:

“Lojtari ynë është dëmtuar në pjesën e pasme të kofshës së majtë. Si rezultat i ekzaminimit me rezonancë të kryer sot, është konstatuar një çarje e tendinit brenda muskulit të gradës 3c dhe gjakderdhje në pjesën e pasme të kofshës së majtë”.

Ky dëmtim konsiderohet serioz dhe pritet ta mbajë sulmuesin jashtë fushave për një periudhë të konsiderueshme, duke e përjashtuar automatikisht nga grumbullimi i radhës i Kombëtares së Shqipërisë.

Mungesa e Manajt pritet të jetë një goditje për repartin ofensiv të Shqipërisë, pasi ai ka qenë një nga lojtarët kyç të sulmit në ndeshjet e fundit të kombëtares.

Stafi teknik tashmë pritet të shqyrtojë alternativat për të plotësuar boshllëkun në vijën e parë për sfidën vendimtare në Varshavë. /Telegrafi/