Gjykimi për spiunazh ndaj Jelena Gjukanoviq, provat prezantohen në Powerpoint

Ka nisur gjykimi ndaj të akuzuarës për spiunazh Jelena Gjukanoviq, e cila si punëtore e OSBE-së, ngarkohet se ka spiunuar për Shërbimin Sekret të Serbisë. Në këtë seancën po administrohen provat. Në këtë gjykim, provat në aktakuzë po prezantohet në P...

Nacionale
Reklame

Ka nisur gjykimi ndaj të akuzuarës për spiunazh Jelena Gjukanoviq, e cila si punëtore e OSBE-së, ngarkohet se ka spiunuar për Shërbimin Sekret të Serbisë. Në këtë seancën po administrohen provat.

Në këtë gjykim, provat në aktakuzë po prezantohet në Powerpoint, nga prokurori Bekim Kodraliu.

E akuzuara Gjukanoviq është deklaruar e pafajshme të premten siç ishte deklaruar edhe më 16 shtator 2025.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit të Kosovës me vendimin e 20 janarit 2026 ka vendos të aprovojë ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuares për spiunazh, Jelena Gjukanoviq ashtu që ka ndryshuar vendimin e Themelores duke llogarit prova të pranueshme gjetjet në telefonin e të akuzuarës, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë nda Jelena Gjukanoviqit, e cila ngarkohet se nga data e pacaktuar e në vazhdimësi deri në momentin e arrestimit të saj, më datë 28 shkurt 2025, në cilësinë e zyrtares vendore të misionit të OSBE-së në Kosovë, pranë Zyrës Rajonale në Mitrovicë, në pozitën “Zyrtare e Programit Kombëtar në Qendrën Rajonale në Mitrovicë”, me vetëdije të plotë dhe me dashje direkte ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë (e njohur si BIA), duke i ofruar të dhëna, dokumentet dhe informacione të ndjeshme, të siguruara gjatë ushtrimit të detyrës së saj zyrtare në kuadër të aktivitetit të misionit të OSBE-së, ndihmë kjo e realizuar përmes komunikimeve të shumta me tani të dënuarin për veprën penale të spiunazhit, agjentin rezident të BIA-s, Aleksandër Vllajiq.

Aktakuza thotë se Gjukanoviq i ka përcjellë Vllajiqit informacione të dokumentuara që lidhen drejtpërdrejt me rendin kushtetues, sigurinë institucionale dhe veprimtarinë e brendshme të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat informacione pastaj janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, tek përgjegjësi i BIA-s për rajonin e Novi Pazarit në Serbi dhe BIA-s në Beograd.

Gjithnjë sipas aktakuzës, e akuzuara përmes influencimit dhe ndikimit të saj, nga pozita që mbante në OSBE dhe udhëzimeve që kishte marrë nga tani i dënuari për spiunazh Aleksandër Vllajiq dhe zyrtarët e BIA-s, gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës, kështu përmes këtyre veprimeve të qëllimshme, e akuzuara ka cenuar rëndë rendin kushtetuese dhe sigurinë kombëtare dhe ka vënë në rrezik serioz jetën dhe sigurinë personale të zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve të vendit si dhe personelit ndërkombëtar të Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Me këtë, e akuzuara Jelena Gjukanoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, par.3 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) është një organizatë ndërkombëtare që merret me sigurinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, e cila përmes misionit të saj ka prezencë zyrtare dhe seli edhe në Kosovë./BetimipërDrejtësi/