Ballina Nacionale Gjykata Supreme: Zbatimi i vendimit për pensionistët bie mbi institucionet ekzekutive

Gjykata Supreme: Zbatimi i vendimit për pensionistët bie mbi institucionet ekzekutive

0

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka sqaruar publikisht aktgjykimin P.A.nr.16/2025, duke theksuar se ka vepruar plotësisht në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore, ndërsa përgjegjësia për zbatimin e vendimit u takon institucioneve ekzekutive.
Sipas njoftimit zyrtar, me këtë aktgjykim Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 4 paragrafi 2 të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe nenin 5 paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të të njëjtit udhëzim. Këto dispozita kishin të bënin me procedurat e lajmërimit, suspendimit nga pagesa dhe kthimit të mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve.
Gjykata Supreme bën të ditur se pas nxjerrjes së aktgjykimit, vendimi u është dorëzuar palëve në procedurë dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke marrë kështu efekt të plotë juridik.
Në sqarimin e saj, Gjykata thekson se nuk ka kompetencë ligjore për të monitoruar apo mbikëqyrur zbatimin e vendimeve gjyqësore nga institucionet e tjera. “Përgjegjësia për zbatimin e këtij aktgjykimi bie mbi institucionet ekzekutive dhe jo mbi gjykatat”, thuhet në njoftim.
Gjykata Supreme rikujton se vendimet gjyqësore janë të detyrueshme për zbatim dhe se çdo mosrespektim i tyre përbën shkelje të parimit të sundimit të ligjit. Aktgjykimi dhe njoftimi përkatës janë publikuar edhe në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Supreme.