Mesfushori i Newcastle, Sandro Tonali, duket se është drejt largimit nga ‘St. James’ Park’ këtë verë, ndërsa një numër klubesh të mëdha pritet të shfaqin interes për të.
Reprezentuesi italian thuhet se ka një marrëveshje me klubin anglez për t’u larguar pas tre vitesh qëndrimi.
Tonali iu bashkua Newcastle në vitin 2023 për shumën 61 milionë euro nga Milan, dhe aktualisht i kanë mbetur edhe dy vite në kontratën e tij.

Nëse Newcastle do ta mbante më gjatë lojtarin, rrezikon ta shesë atë për një çmim më të ulët në të ardhmen, në rast se nuk arrin të rinovojë kontratën me të.
25-vjeçari ka tërhequr interesin e disa klubeve të mëdha si Chelsea, Liverpool, Manchester United, Arsenal dhe Paris Saint-Germain.
Në këtë listë mund të përfshihet edhe Real Madrid. Muajin e kaluar u raportua se Los Blancos kishin dërguar një skaut në Newcastle për ta vëzhguar Tonalin nga afër, ndërsa nuk është sekret që ata janë në kërkim të një mesfushori gjatë këtij viti.
Sipas TeamTalk, Tonali tashmë i është ofruar Real Madridit si një opsion i mundshëm për këtë verë, megjithëse çmimi i tij ende nuk është bërë publik.
Megjithatë, i njëjti burim thekson se klubi madrilen do të duhet të shqyrtojë dhe përjashtojë opsione të tjera përpara se të ndërmarrë një lëvizje për Tonalin.
Sipas tyre, ai nuk është zgjedhja e parë e Real Madridit për repartin e mesfushës./Telegrafi/






