Gjenden sërish mbetje mortore në Rahovec, dyshohet se i përkasin luftës së fundit

Pikërisht në 27-vjetorin e fillimit të bombardimeve që e çliruan Kosovën, në Rahovec u gjetën dëshmi të radhës që e arsyetojnë ndërhyrjen e NATO-s. Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur bëri me dije se në lokacionin “Përzhina” ...

Nacionale

Pikërisht në 27-vjetorin e fillimit të bombardimeve që e çliruan Kosovën, në Rahovec u gjetën dëshmi të radhës që e arsyetojnë ndërhyrjen e NATO-s.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur bëri me dije se në lokacionin “Përzhina” u gjetën eshtra që i përkasin së paku një personi nga Rahoveci.

“Do të presim derisa të përfundojnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore për të konfirmuar numrin e saktë të individëve, viktimave të zhvarrosura. Në këtë lokacion do të vazhdojmë të jemi të angazhuar edhe ditët në vijim, meqë, siç kemi prezantuar, është një hapësirë e shënjuar, e cila po trajtohet në vazhdimësi këto 27 vite. Që në vitet e para të pasluftës, madje në muajt e parë, ky lokacion është trajtuar nga ekipet mjeko-ligjore gjermane, më pas në vitet 2002 dhe 2007 nga ekipet ndërkombëtare në kuadër të misionit të UNMIK-ut dhe së fundmi nga ne si Komision Qeveritar, bashkë me kolegët e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës.

Bazuar në të gjitha të dhënat që kemi siguruar dhe analizuar në mënyrë të hollësishme, kemi konkluduar se në këtë zonë vazhdojnë të jenë, ose mund të jenë, mbetje mortore të tetë viktimave të luftës, ose të paktën pesë prej tyre që ende figurojnë në listën e personave të zhdukur”, tha Gara.

Gara bëri të ditur se janë edhe rreth 10 lokacione që do të gërmohen në javët në vijim.

“Lokacioni me prioritet më të lartë që po trajtojmë, siç e kemi prezantuar që në fund të vitit të kaluar, është pikërisht ky në Rahovec. Përfshihen edhe të paktën tre lokacione të tjera që i kemi adresuar në kuadër të këtij procesi, të cilin po e konsiderojmë si vazhdimësi të konfirmimit të identitetit apo të trajtimit të rasteve të mundshme të keqidentifikimit.

Bashkë me kolegët nga Drejtoria e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, si dhe duke u bazuar në të dhëna nga arkivat ndërkombëtare, kemi identifikuar një sërë lokacionesh – deri në 10 – që do të jenë pjesë e agjendës në javët në vijim.

Megjithatë, po flasim vetëm për të dhëna minimale, pasi vazhdojmë të përballemi me mungesë të informacioneve të besueshme”, shtoi ai.

Ai përsëriti se mbeten shqetësuese dhe sfiduese lokacionet e pahapura në territorin e Serbisë, pasi autoritetet serbe nuk ndajnë informacione për to.

Vitin e kaluar janë gërmuar 32 lokacione, ndërsa gjatë këtyre 27 viteve janë trajtuar rreth 2700 lokacione në kërkim të mbetjeve mortore.