Gjashtë të vdekur nga zjarri në një autobus në Zvicër, dëshmitari shqiptar: Ai i hodhi vetes benzinë dhe pastaj i vuri flakën vetes

Të martën në mbrëmje shpërtheu një zjarr në një autobus postar në Kerzers, në kantonin e Fribourgut, ku si pasojë gjashtë persona mbeten të vdekur.

Dëshmitarët okularë raportojnë se një person i vuri flakën vetes, gjersa video dhe fotografi tregojnë automjetin duke u djegur me intensitet të madh.

Sipas policisë, në këtë tragjedi kanë humbur jetën të paktën gjashtë persona. Pesë persona të tjerë janë plagosur, raporton 20min.ch, transmeton albinfo.ch.

Në një konferencë për shtyp të martën në mbrëmje, policia konfirmoi se zjarri në autobusin postar ishte vendosur qëllimisht. Megjithatë, rrethanat e sakta janë ende nën hetim. Policia nuk komentoi nëse bëhej fjalë për një sulm terrorist.

Një video e siguruar nga kjo redaksi tregon skena pak pasi shpërtheu zjarri. Një person shihet duke vrapuar dhe duke bërtitur, ndërsa duket se ka djegie në duar. Në sfond dëgjohen britma dhimbjeje.