Duhet të kujdesemi më shumë për institucionet që drejtojmë sesa të shikojmë në oborrin e dikujt tjetër, i tha kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, lidhur me kritikat se ai nuk do të toleronte më që Kuvendi të injoronte vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Gashi dhe Kostadinovski hynë në konflikt të hapur, veçanërisht pasi Kuvendi humbi të gjitha afatet për miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal, si dhe pas deklaratës së Kostadinovskit se nuk kishte nevojë që qytetarët të merrnin mesazhe nga “Safe City” në shqip, për të cilën kryetari i Kuvendit i tha të mendonte dhe të ishte i kujdesshëm kur bënte deklarata që ndikonin në marrëdhëniet ndëretnike.
Të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm me marrëdhëniet ndëretnike
“Si politikan dhe si drejtues i një institucioni të rëndësishëm siç është Kuvendi, përpiqem të mos hyj në konflikt me asnjë institucion, politikan apo bartës të funksionit publik. Gjithmonë kam bërë thirrje për kujdes në dhënien e deklaratave, veçanërisht kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndëretnike, të cilat vlerësoj se duhet të jemi gjithmonë të gjithë të kujdesshëm, sepse janë të brishta dhe janë një shtyllë e stabilitetit të këtij vendi. I takon secilit bartës të funksionit të mendojë se si sillet në lidhje me këtë temë.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj uron Albulena Haxhiun për zgjedhjen si Kryetare të Kuvendit
Mundohem të jem sa më i kujdesshëm sepse besoj se kjo ndikon shumë në shtet dhe në marrëdhëniet e të gjithë qytetarëve në shtet, tha Gashi në një takim informues me gazetarët rreth deklaratës së Kostadinovskit për “Safe City”.
Gashi nuk pajtohet me kritikat e Kostadinovskit se Kuvendi injoron vendimet dhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese.”Çfarë do të bëjë ai (Kostadinovski n.z.), a do të vijë të thërrasë një seancë?”, komentoi Gashi.
Sipas tij, çdo institucion, veçanërisht një nga më të rëndësishmit – Gjykata Kushtetuese, si dhe Kuvendi, për të cilin Kushtetuta ka përcaktuar kompetenca dhe pushtete të qarta, duhet të kryejë funksionin e tij në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve.
“Edhe ne po përpiqemi ta kryejmë këtë funksion sipas Kushtetutës, ligjit dhe Rregullores së Punës. Ia rekomandoj të njëjtën gjë atij dhe të gjithë bartësve të funksioneve publike – secili duhet të kujdeset për institucionin e vet. Natyrisht, ne duhet të kujdesemi edhe për të tjerët, mund të kritikojmë njëri-tjetrin, ne jemi një shoqëri demokratike, por unë prapë mendoj se duhet të kujdesemi për institucionet që drejtojmë më shumë sesa të shikojmë në oborrin e dikujt tjetër. Nëse do të ishim të kujdesshëm, nëse do të shikonim se si punojmë me institucionet tona, do të kishim më pak probleme. Fatkeqësisht, ne jemi të prirur të shikojmë gjëra të tjera”, tha Gashi./Telegrafi/





