Furia Epike dhe Gjiri Persik

Operacioni Furia Epike [Epic Fury] kundër regjimit diktatorial të Iranit godet kundërshtarin kryesor të vende të Gjirit Persik dhe, në të njëjtën kohë, shoqërohet me përshkallëzime shumë të rëndësishme afatgjata, që përfshijnë sigurinë dhe qasjen e t...

opinion

Operacioni Furia Epike [Epic Fury] kundër regjimit diktatorial të Iranit godet kundërshtarin kryesor të vende të Gjirit Persik dhe, në të njëjtën kohë, shoqërohet me përshkallëzime shumë të rëndësishme afatgjata, që përfshijnë sigurinë dhe qasjen e tyre ushtarake, gjeopolitikën e energjisë, dinamikat e aleancave, implikimet gjeopolitike afatgjata, etj. Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, nga ku kalon gati 20 përqind e naftës globale, 25 përqind e gazit natyror të lëngshëm dhe 33 përqind e eksporteve globale të plehrave, si dhe sulmet ndaj aeroporteve të Emirateve të Bashkuara Arabe (Emiratet) i ka dëmtuar pa masë shumicën e vendeve të Gjirit.

Kompania daneze “Risk Intelligence”, lider botëror në vlerësimin dhe planifikimin e riskut bën të ditur se brenda tri javëve, Irani goditi 140 herë Bahrejnin, 132 herë Katarin dhe 218 herë Kuvajtin. Emiratet u goditën më shumë se 300 herë, ndërsa Arabia Saudite 31 herë. Irani i shënjon objektivat e veta me dronë, të cilët janë të lirë dhe më të vështirë për t’u interceptuar. Kësisoj, që nga fillimi i luftës, më 28 shkurt, shifrat janë edhe më tronditëse: Katari është shënjestruar, afërsisht nga 70 dronë, Bahreini nga 210-310, Arabia Saudite nga 500-550, ndërsa Emiratet nga më shumë se 1 700. Ekspertët venë në dukje se ky sulm është njësi e strategjisë iraniane: goditje me breshëri dronësh dhe modele të vjetra raketash për të mbingarkuar sistemet mbrojtëse të vendeve të Gjirit, të zvogëlojë stoqet e interceptorëve të tyre përpara se të përdorë raketa më të përparuara.

Bllokimi i Ngushticës të Hormuzit transporti i naftës

Sipas kësaj pasqyre, drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, i cili është një prej mbikëqyrësve kryesorë të tregjeve të energjisë, paralajmëron se kjo që po ndodh përbën kërcënimin më të madh historik për sigurinë globale të energjisë. Ai vëren se, para konfliktit, në Ngushticën e Hormuzit kalonin tranzit, afërsisht, 20 milionë fuçi naftë çdo ditë. Bllokimi i kësaj arterie detare nga sulmet me raketa dhe dronë të ushtrisë iraniane i ka detyruar vendet prodhuese të naftës dhe gazit në Gjirin Persik të ulin në mënyrë drastike ose edhe të ndërpresin prodhimin e tyre, pasi nuk janë në gjendje ta transportojnë me rrugë detare. Sipas vlerësimit të kreut të IEA-s, shkurtimi i detyruar i prodhimit, tashmë po i mënjanon tregut 11 milionë fuçi naftë bruto dhe produkte të rafinuara të naftës në ditë. Kjo sasi nafte është më e madhe sesa shkurtimet e viteve 1970 (më 1973 Lufta e Jom Kipurit dhe më 1979 Revolucioni Islamik Iranian).

Në këtë periudhë humbjet arritën në pesë milionë fuçi në ditë pasi OAPEC vendosi një embargo nafte si kundërpërgjigje ndaj mbështetjes që Perëndimi i dha Izraelit. Kjo embargo katërfishoi çmimin e naftës bruto dhe solli ndryshime ekonomike afatgjata në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, kurse Revolucioni Islamik Iranian nxiti pasiguri politike dhe rënien e prodhimit të naftës (rreth katër përqind). Paniku që pushtoi tregjet bëri që çmimet të rriteshin në mënyrë dramatike, por në vitet 1970 konsumi global i naftës ishte shumë më i ulët: 50 deri në 60 milionë fuçi në ditë, kurse tani është mbi 100 milionë. Analistët vazhdojnë të paralajmërojnë për rritje të çmimeve nëse ngushtica nuk rihapet shpejt. Në një raport për investitorët, “Goldman Sachs” paralajmëroi se çmimet e Brent (pikë reference në nivel global për çmimin e naftës bruto) mund të tejkalojnë nivelin rekord të vitit 2008, 147 dollarë për fuçi, nëse brenda 10 javësh nuk rifillon transporti i naftës përmes Ngushticës Hormuz. Luhatshmëria ka të ngjarë të mbetet e lartë, thotë Patrick De Haan, kreu i analizës së naftës për aplikacionin e çmimeve “Gas Buddy”. Tregtarët, vëren ai, do të peshojnë jo vetëm besueshmërinë dhe kohëzgjatjen e pauzës, por edhe rrezikun nëse negociatat dështojnë.

Pos naftës, është ndërprerë edhe tregtia e gazit natyror. Nëpërmjet Ngushticës së Hormuzit para luftës kalonte, gjithashtu, një e katërta e prodhimit global të gazit natyror të lëngshëm (LNG) të prodhuar nga Katari dhe, në një masë më të vogël, nga Emiratet. Situata është bërë më e rëndë pas sulmeve të Iranit në kompleksin masiv të gazit Ras Lafan të Katarit si kundërpërgjigje ndaj goditjes në fushën e gazit Parsi Jugor të Iranit. Këtu duhet thënë se Katari prodhon edhe një të tretën e sasisë botërore të heliumit, një gaz i rrallë, i cili përftohet gjatë nxjerrjes ose lëngëzimit të gazit natyror. Ky vëllim i konsiderueshëm, që aktualisht nuk mund të shfrytëzohet, është thelbësor për prodhimin e gjysmëpërçuesve dhe pajisjeve mjekësore.

Të gjitha këto trazira, paralajmërojnë ekspertët, mund të kenë implikime strukturore për ekonominë globale, veçanërisht për vendet në zhvillim, Azia, p.sh., klienti kryesor i naftës dhe gazit të Gjirit, është në vijën e parë, por asnjë rajon nuk pritet të kursehet. Përveç hidrokarbureve, është ndërprerë edhe furnizimi me plehra kimike. Vendet e Gjirit prodhojnë një të tretën e nevojave globale për plehra, gjë që rrezikon rritjen e çmimeve të produkteve bujqësore dhe ushqimore. Drejt ndërprerjes është edhe furnizimi me produkte petrokimike si polimeret ose metanoli, të cilat shfrytëzohen nga shumë industri deri te sektori i ndërtimit.

Në këto kushte disa nga vendet e Gjirit, si Arabia Saudite, do të donin që lufta të vazhdonte për ta degraduar Iranin sa më shumë që të ishte e mundur, edhe pse në krye të herës, bashkë me Emiratet lobuan kundër luftës, por tani besojnë se lënia e regjimit iranian me arsenalin e tij të raketave dhe dronëve do t’i japë mundësi ta rimarrë peng rajonin. Këtë mendim e ndajnë edhe disa kryeqytete të tjerë të Gjirit. Shpresa e tyre është që sulmet ajrore të ShBA-së dhe Izraelit t’i shkatërrojnë Iranit aftësinë për të goditur me raketa dhe dronë, edhe pse kjo mund të jetë një dëshirë e paarritshme, pasi ky është një vend rreth 1 745 150 kilometra katrorë, pothuajse sa Evropa Perëndimore dhe për këtë nevojiten muaj sulmesh dhe trupa ushtarake në terren.

Kësisoj, shtetet e Gjirit po shqyrtojnë lidhje më të ngushta me Perëndimin dhe bashkimin me të në luftë kundër Iranit. Mbyllja e spitalit iranian në Dubai është një tregues domethënës. Ky spital u hap në vitin 1972 kur Shahu ishte ende në pushtet dhe qëndroi i hapur gjatë gjithë Revolucionit Iranian të vitit 1979, pavarësisht ndryshimeve në marrëdhëniet e Iranit me shtetet arabe të Gjirit Persik. Madje, në vitin 2014 u zgjerua akoma më shumë, ndërsa vendet e Gjirit lobonin në Uashington kundër marrëveshjes bërthamore me Iranin. Por, këtë muaj, Emiratet, nën sulmin e raketave dhe dronëve iranianë, urdhëruan mbylljen e tij. Spitali ishte projeksioni më i dukshëm i Iranit për të ndikuar tek Emiratet. Nëpërmjet ofrimit të shërbimeve jetësore dhe cilësore përpiqej të krijonte një imazh dashamirës dhe human në sytë e popullsisë vendase.

Kështu, ndikimi i Teheranit u thellua dhe Emiratet u kthyen në një qendër financiare për asetet iraniane, përfshirë ato të Gardës Revolucionare Islamike, duke i siguruar regjimit iranian një shteg shpëtimi nga sanksionet. Mbyllja e papritur e spitalit dëshmon se politikës të drejtpeshimit të Emirateve midis rivalëve të mëdhenj, si: Shtetet e Bashkuara, Rusia, edhe Kina mund t’i ketë ardhur fundi; megjithatë, Emiratet mbeten një partner i besuar sigurie i ShBA-së dhe Izraelit. Pos bazave ushtarake amerikane, në Abu Dabi ka një ambasadë izraelite dhe një iraniane. Studiuesit mendojnë se kjo politikë nuk mundi t’i mbrojë nga një luftë rajonale dhe, në një farë mënyre, ata do të rikthehen në politikën e vitit 2016: përmbajtje dhe angazhim i kufizuar. Tani, Emiratet po shqyrtojnë mundësinë të kontrollojnë qasjen e Iranit në sistemin financiar ndërkombëtar nëpërmjet aseteve të veta miliarda dollarëshe të depozituara në bankat e Emirateve. Javën e kaluar, Emiratet njoftuan arrestimin e pesë individëve për krime financiare, që, sipas tyre, ishin të lidhur me një rrjet terrorist të drejtuar nga Hezbollahu dhe Irani.

Edhe pse Emiratet nuk i kanë shpallur luftë financiare Iranit, lufta mund t’i afrojë më shumë me ShBA-në dhe ndoshta do të qëndrojnë më larg Rusisë dhe fuqive të tjerë, që nuk arritën t’i ndihmonin. Këtë parashikim bën edhe think-tenku ORF (Observer Research Foundation) për Lindjen e Mesme: Mbrojta ajrore, p. sh., do të jetë një përparësi për Emiratet dhe shtetet e tjera të Gjirit, që do të thotë koordinim më i ngushtë me ShBA-në dhe aleatë si Franca dhe Britania; megjithëse ata i druhen paparashikueshmërisë të Uashingtonit, që mund të arrijë ndonjë marrëveshje me Iranin dhe t’i lërë ata të përballen me një regjim të fuqizuar dhe triumfues. Këto shqetësimet rrjedhin nga precedenti i vitit të kaluar me rebelët Huthi të mbështetur nga Irani: ShBA-ja pasi u shpalli luftë, duke kërkuar dorëzimin e tyre pa kushte gjatë një fushate bombardimi njëmujore, papritur shpalli fitoren dhe, sipas vendeve të Gjirit, i la huthit pak a shumë të paprekur. Disa shtete të tjerë të Gjirit, që kanë banka iraniane, si dhe forca ushtarake perëndimore, do të dëshirojnë të qëndrojnë neutralë dhe të ofrojnë ndërmjetësi.

I pafuqishëm për t’iu kundërpërgjigjur ShBA-së, strategjia e Iranit gjatë konfliktit ka synuar t’u prishë reputacionin vendeve të Gjirit dhe të ndalojë eksportet e tyre të naftës, gazit dhe plehrave kimike derisa rritja e çmimit të naftës të ushtrojë trysni të mjaftueshme mbi Presidentin Trump për t’i dhënë fund luftës. Por, për vendet e Gjirit, përfundimi i luftës përpara çmontimit të aftësive ofensive të Iranit, për regjimin e tij do të ishte një fitore e barabartë me triumfin e Presidentit Nasser të Egjiptit kundër Britanisë së Madhe, Francës dhe Izraelit gjatë krizës së Kanalit të Suezit në vitin 1956 dhe rëndom përmendin një shaka, që po qarkullon këto javë: SHBA dhe Izraeli bombarduan Ajatollah Khamenei-n vetëm për ta bërë 30 vjet më të ri. Kjo seri ngjarjesh ngjall shqetësimin e madh të një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit, i cili në më pak se tri javë trazoi tregjet globale të energjisë dhe rriti çmimet e gazit dhe të naftës. Tom MarzecManser, drejtor i gazit evropian dhe LNG-së në firmën amerikane të konsulencës “Wood Mackenzie”, vëren se edhe pasi të rihapet Ngushtica e Hormuzit, mund të duhet shumë më tepër kohë që të kthehet normaliteti. Në të vërtetë, nëse disa objekte dëmtohen rëndë, prodhimi mund të ketë vështirësi të rifillojë edhe pasi të mbarojë konflikti. /Gazeta “Panorama”/