Formacioni i mundshëm i Shqipërisë ndaj Polonisë – Sylvinho surprizon me zgjedhjet në sulm

Kombëtarja e Shqipërisë është gati për sfidën vendimtare në udhëtim ndaj Polonisë në gjysmëfinalen e ‘play-off’-it për Kupën e Botës, me trajnerin Sylvinho që ka skicuar një formacion me disa lëvizje të guximshme. Ndërsa disa reparte duken të konsoli...

Sport

Kombëtarja e Shqipërisë është gati për sfidën vendimtare në udhëtim ndaj Polonisë në gjysmëfinalen e ‘play-off’-it për Kupën e Botës, me trajnerin Sylvinho që ka skicuar një formacion me disa lëvizje të guximshme. Ndërsa disa reparte duken të konsoliduara, surprizat nuk mungojnë, sidomos në sulm.

Trajneri brazilian, Sylvinho pritet të “tronditë” rreshtimin e lojtarëve në gjysmëfinalen e play-off-it, me disa vendime të papritura në repartin ofensiv, ndërsa mesfusha dhe mbrojtja mbeten të pandryshuara në formacionin 4-3-3.

Në portë nuk ka dilema: Thomas Strakosha pritet të jetë titullar i padiskutueshëm. Përvoja dhe siguria e tij mbeten një pikë kyçe për kuqezinjtë në një ndeshje me presion të lartë, pasi Etrit Berisha nuk po grumbullohet që nga përfundimi i Euro 2024.

Reparti mbrojtës sjell disa sinjale interesante. Në krahë pritet të aktivizohen Elseid Hysaj dhe Mario Mitaj, ndërsa në qendër do të jenë Berat Gjimshiti dhe Arlind Ajeti. Përfshirja e Ajetit shihet si një nga lëvizjet më befasuese, duke lënë jashtë një lojtar në formë të lartë si Ardian Ismajli, por duke shtuar fizik dhe eksperiencë në prapavijë.

Mesfusha duket e “vulosur” dhe pa eksperimente. Treshja Qazim Laçi, Juljan Shehu dhe Kristjan Asllani pritet të mbajë balancën mes mbrojtjes dhe sulmit. Ky repart konsiderohet si pika më e qëndrueshme e ekipit, me detyra të qarta taktike dhe disiplinë të lartë.

Aty ku vijnë surprizat më të mëdha është sulmi. Myrto Uzuni, Nedim Bajrami dhe Ernest Muçi pritet të formojnë repartin ofensiv, duke lënë jashtë disa emra të zakonshëm si ai i Armando Brojës.

Aktivizimi i kësaj treshe sinjalizon një qasje më dinamike dhe të paparashikueshme, me shpejtësi dhe kreativitet në fazën sulmuese, me Bajramin që pritet ta luajë rolin e një numri 9 fals.

Broja dhe Muçi pritet t’ia nisin nga bankina

Në prag të kësaj përballjeje vendimtare, zgjedhjet e Sylvinhos tregojnë qartë se Shqipëria nuk do të hyjë thjesht për të mbrojtur, por për të goditur.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë: Strakosha; Hysaj, Gjimshiti, Ajeti, Mitaj; Laçi, Shehu, Asllani; Uzuni, Bajrami, Hoxha;