Krizë, presion dhe frikë nga rënia nga kategoria. Por në mes të këtyre sfidave, një lojtar nuk dorëzohet, 27-vjeçari Florent Muslija, shkruan Bild.
Mesfushori kosovar ka kaluar javë të vështira. Me Kombëtaren e Kosovës, ai humbi me pak shanse kualifikimin për në Botëror, duke pësuar një humbje 1-0 ndaj Turqisë në finalen vendimtare.
Në Fortuna Düsseldorf, gjërat nuk janë më të lehta, tri humbje radhazi dhe beteja për të shmangur rënien nga Bundesliga 2 po bëhen gjithnjë e më të vështira.

Megjithatë, Muslija nuk dorëzohet. Pas fitores dramatike 4-3 kundër Sllovakisë, ai luajti edhe 90 minuta të plota kundër Turqisë.
“Ishte një javë e vështirë, duhet ta pranoj,” thotë Muslija, por shton se ankimi nuk është opsion.
“Kjo është pjesë e punës si lojtar i ekipit kombëtar,” shpjegon ai, duke kthyer menjëherë vëmendjen te sfidat e Fortunas. “E dimë që nuk do të jetë një shëtitje në park. Ndeshjet e ardhshme janë kundër konkurrentëve të drejtpërdrejtë. Duhet të marrim sa më shumë pikë”.
Të premten, Fortuna do të përballet me Holstein Kiel në një ndeshje vendimtare për mbijetesën në Bundesliga 2.
Një humbje tjetër mund të çojë në pasoja serioze. Pas disfates 3-0 ndaj Kaiserslautern, tifozët janë të shqetësuar dhe trajneri Markus Anfang mund të jetë pranë largimit.
Por Muslija nuk dorëzohet. Pavarësisht lëndimeve, ai shtrëngon dhëmbët. “Tashmë jam përmirësuar. Nuk më pëlqen të qëndroj jashtë me lëndime të lehta. Sa të mundem, dua të ndihmoj ekipin”, thotë ai.
Mesazhi i tij është i qartë: karakteri dhe fryma e ekipit janë më të rëndësishme se frustrimi individual.
“Secili duhet të japë maksimumin, të marrë përgjegjësi dhe të shtyjë ekipin përpara. Edhe lojtarët nga stoli duhet të japin kontributin e tyre – kushdo që hyn në fushë duhet të japë shtysë, jo të ndjehet i frustruar”, shton Muslija. /Telegrafi/





