Trajneri i Brcelonës, Hansi Flick, ka deklaruar se nuk është momenti i duhur për të diskutuar rinovimin e kontratës së tij, megjithëse nuk e fsheh dëshirën për të vazhduar te gjiganti katalanas.
Duke folur për mediat, Flick theksoi se fokusi i tij aktual është te ndeshjet e rëndësishme që e presin skuadrën.
“Nuk mendoj se është koha e duhur. Kemi një ndeshje shumë të rëndësishme. Të gjithë e dinë që jam shumë i lumtur këtu, por duhet të flas me familjen time. Do të ketë kohë për të folur, nuk është momenti tani”.

Trajneri gjerman shprehu gjithashtu lidhjen e fortë që ka krijuar me klubin dhe ambientin në Barcelonë.
“Është e qartë se më pëlqen të punoj këtu. Gjëja më e rëndësishme është se ndihem si në një familje të madhe. Kam mbështetjen e klubit, por ky është futbolli. Jam këtu për të ndihmuar ekipin të arrijë nivelin më të lartë”, vazhdoi Flick.
Flick shkoi edhe më tej, duke lënë të kuptohet se nuk e sheh veten në një aventurë tjetër në të ardhmen.
“Nuk po mendoj të shkoj diku tjetër. Ky do të jetë klubi im i fundit, puna ime e fundit dhe jam i kënaqur”, përfundoi trajneri gjerman.
Nga ana tjetër, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka deklaruar së fundmi se palët janë pranë një marrëveshjeje për zgjatjen e kontratës së Flick deri në vitin 2028. /Telegrafi/





