Flick i mbetet besnik Barcelonës, po e vazhdon kontratën

Hansi Flick pritet të vazhdojë aventurën e tij te Barcelona edhe përtej vitit 2027, pasi një marrëveshje për zgjatjen e kontratës është arritur tashmë. E ardhmja e trajnerit gjerman ishte e lidhur ngushtë me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në k...

Sport

Hansi Flick pritet të vazhdojë aventurën e tij te Barcelona edhe përtej vitit 2027, pasi një marrëveshje për zgjatjen e kontratës është arritur tashmë.

E ardhmja e trajnerit gjerman ishte e lidhur ngushtë me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në klub. Me rizgjedhjen e Joan Laporta, u bë e qartë se Flick do të vazhdojë të jetë në krye të skuadrës katalanase.

Në një prononcim për RAC1, Laporta konfirmoi se kontrata e gjermanit do të rinovohet.

“Do ta njoftojmë së shpejti zgjatjen e kontratës me Flick. Do të jetë për një sezon tjetër – deri në vitin 2028”, tha Laporta.

Kontrata aktuale e Flick ishte planifikuar të përfundonte në vitin 2027, por tashmë palët kanë arritur një marrëveshje pa pasur nevojë për negociata të gjata.

“Hansi tashmë ka rënë dakord, ai është shumë i lumtur këtu,” shtoi Laporta.

Flick është në krye të Barcelonës që nga viti 2024 dhe ka arritur sukses të menjëhershëm, duke fituar titullin në La Liga sezonin e kaluar, si dhe duke shtuar tre trofe të kupave vendase në kabinetin e tij. /Telegrafi/