Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka prezantuar progresin e Kosovës si një “demokraci të qëndrueshme dhe evropiane”, duke theksuar konsolidimin institucional dhe zhvillimet politike në vend.
Konjufca ka kritikuar raportet që, sipas tij, janë të njëanshme, si dhe ka denoncuar ndërhyrjet e Serbisë në proceset politike në Kosovë. Ai ka kërkuar gjithashtu transformimin e misionit të UNMIK-ut, duke argumentuar se Kosova tashmë është shtet sovran që kontribuon në sigurinë ndërkombëtare.
Në fjalimin e tij para Këshillit të Sigurimit, Konjufca tha se Kosova vazhdon të funksionojë si demokraci e konsoliduar, me institucione të pavarura dhe zgjedhje të lira e demokratike.

Ai theksoi se vendi po vazhdon me reforma që synojnë zhvillim ekonomik, siguri dhe integrim më të thellë ndërkombëtar.
Konjufca akuzoi Beogradin për, siç u shpreh ai, ndërhyrje në zgjedhje dhe për mbështetje të strukturave paralele në veri të Kosovës. Ai përmendi edhe rastin e sulmit në Banjskë, duke kërkuar që autorët të përballen me drejtësinë.
Sipas tij, raportet ndërkombëtare nuk pasqyrojnë në mënyrë të plotë, siç tha ai, “kërcënimet hibride” nga Serbia dhe përpjekjet e Kosovës për integrimin e komuniteteve.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit të Konjufcës ishte kërkesa për rishikimin e rolit të UNMIK-ut, duke argumentuar se misioni duhet të transformohet në një mekanizëm që do të lehtësonte anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Ai tha se Kosova tashmë ka arritur nivelin e një shteti funksional dhe se prania e UNMIK-ut nuk reflekton më realitetin në terren.
Konjufca përmendi edhe njohjet ndërkombëtare të Kosovës, duke theksuar se vendi po forcon pozicionin e tij diplomatik dhe synon anëtarësimin e plotë në organizatat ndërkombëtare.
Ai u bëri thirrje shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë “pa vonesë”, duke e cilësuar këtë si çelës për stabilitetin në Ballkan.
Në fund të fjalimit, Konjufca foli edhe për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, duke kritikuar raportimin e UNMIK-ut për, siç tha ai, mospasqyrim të plotë të progresit të Kosovës.
Ai theksoi se institucionet e drejtësisë në Kosovë janë rezultat i rendit kushtetues të vendit dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Konjufca përmbylli fjalimin duke thënë se Kosova është e gatshme të kontribuojë në paqen globale dhe se fokusi ndërkombëtar duhet të zhvendoset nga prania e UNMIK-ut drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në OKB.
Në mbledhjen e 10132-të të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka prezantuar progresin e vendit si një demokraci e qëndrueshme dhe evropiane.
Gjatë fjalës së tij, Konjufca kritikoi qasjen e njëanshme të raporteve të caktuara, denoncoi ndërhyrjet destruktive të Serbisë dhe kërkoi zyrtarisht transformimin e misionit të UNMIK-ut, duke argumentuar se Kosova tashmë është një shtet sovran që kontribuon në sigurinë globale.
Duke marrë parasysh raportin e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm, i cili ofron një përmbledhje të detajuar të zhvillimeve politike në Kosovë, pavarësisht disa elementeve kontraverse dhe të njëanshme që nuk pasqyrojnë saktësisht ngjarjet në terren.
Do t’i mbaj vërejtjet e mia të shkurtra, pasi e kuptoj që ky Këshill ka çështje dhe kriza të tjera më urgjente për të trajtuar.
Republika e Kosovës vazhdon të lulëzojë si një demokraci e qëndrueshme, me institucione funksionale, rritje të qëndrueshme ekonomike, polici dhe forca profesionale të sigurisë, e përputhur me standardet më të larta të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, të cilat garantohen me Kushtetutë, ndërsa demonstron qëndrueshmëri ndaj sfidave të jashtme dhe krizave globale që janë në zgjërim e sipër.
Që nga takimi ynë i fundit, ne kemi mbajtur zgjedhje të lira dhe demokratike si në nivel lokal ashtu edhe në atë kombëtar, duke treguar edhe një herë se Kosova ka ndërtuar institucione demokratike dhe të pavarura, të afta për të ruajtur stabilitetin dhe për të mbështetur standardet liberale.
Qeveria e sapoformuar do të vazhdojë programin e saj ambicioz të reformave për ta bërë Kosovën më të begatë, më të sigurt dhe më të integruar me botën e gjerë.
Megjithatë, Beogradi ka vazhduar të luajë një rol përçarës, duke tentuar të ndërhyjë në zgjedhje dhe duke u përpjekur t’i imponojë komunitetit lokal serb në Kosovë, Listën Serbe të mbështetur nga Beogradi, duke synuar të pasqyrojë sundimin autoritar dhe një-partiak të Serbisë. Falë vendosmërisë sonë dhe mbështetjes së partnerëve tanë, ne kemi parandaluar me sukses ndërhyrje të tilla të huaja dhe kemi ruajtur integritetin e institucioneve tona demokratike.
Ne jemi një komb paqedashës dhe nuk kemi ndërhyrë kurrë në punët e brendshme të shteteve të tjera. Pavarësisht agresionit të Serbisë dhe kërcënimeve të vazhdueshme hibride kundër institucioneve dhe shoqërisë sonë, Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësore.
Megjithatë, pengesa për paqen dhe normalizimin e marrëdhënieve mbetet Serbia, e cila nuk është e interesuar as për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe as për anëtarësimin në BE. Ata po përpiqen t’i mohojnë rajonit tonë stabilitetin, prosperitetin dhe integrimin e plotë në strukturat euroatlantike, të cilat janë shumë të nevojshme.
Ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përballet me realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, si dhe të ndalojë mbajtjen peng të shoqërisë dhe të gjithë rajonit ndaj aspiratave të saja për hegjemonizëm rajonal.
Ndërsa raporti i UNMIK-ut njeh me saktësi përpjekjet e Kosovës për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, ai anashkalon efektin stabilizues të përpjekjeve tona konstruktive për integrimin e pakicave në veri.
Funksionimi efektiv i një shoqërie mbështetet në kohezionin shoqëror dhe integrimin brenda një kuadri të përbashkët ligjor dhe politik. Ky është një kuadër brenda të cilit shumë prej jush këtu në Këshillin e Sigurimit të OKB-së veproni kur bëhet fjalë për mbrojtjen e pakicave.
Përpjekjet tona në veri të Kosovës për të ofruar siguri dhe për t’iu përgjigjur kërcënimeve, synojnë të sigurojnë një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga prejardhja e tyre etnike, në mënyrë që qytetarët tanë të mund të jetojnë në paqe dhe të lirë nga presioni i strukturave të paligjshme serbe.
Në këtë drejtim ne kemi ndërmarrë masa për të integruar dhe harmonizuar shërbimet komunale shëndetësore, arsimore dhe shërbime të tjera publike në zonat e populluara nga serbët me ato të Qeverisë së Kosovës.
Kosova ka një nga kornizat më të avancuara të mbrojtjes së pakicave në Evropë. Megjithatë, shqetësimet tona mbeten se Serbia dhe akterë të tjerë keqdashës vazhdojnë të përdorin të drejtat e pakicave si armë dhe të shfrytëzojnë karakterin multietnik të Kosovës për të nxitur përçarje, çrregullime dhe për të minuar institucionet tona demokratike dhe bashkëjetesën paqësore.
Raporti përmend vetëm shkurt zbulimin e armëve të paligjshme në veri të Kosovës, bur nuk vlerëson në mënyrë adekuate përpjekjet konstruktive dhe masat proporcionale të ndërmarra nga Policia e Kosovës dhe institucionet tona qeveritare për të ruajtur paqen dhe normalitetin në këtë pjesë të Kosovës. Gjatë tre viteve të fundit, Policia e Kosovës ka zbuluar dhe konfiskuar 247 armë të paligjshme dhe 17,421 fishekë municion në zonat e banuara me serb në veri.
Në mënyrë të ngjashme, raporti i UNMIK-ut thekson disa incidente të izoluara dhe lokale, të cilat aktualisht po hetohen nga policia profesionale e Kosovës, bur nuk përmend kërcënimet hibride të Beogradit për të penguar paqen dhe për të penguar integrimin e komunitetit serb.
Në veçanti, raporti nuk e mbulon mjaftueshëm rastin e sulmeve të armatosura dhe terroriste në Banjska në shtator 2023, gjë që mbetet një shqetësim i madh për ne. Republika e Kosovës, ashtu si BE-ja dhe NATO-ja, ka bërë vazhdimisht thirrje për vendosjen para përgjegjësisë, gjatë tre viteve të fundit. Beogradi ka urdhëruar, trajnuar dhe tani mbron autorët kryesorë të këtij terrorizmi dhe agresioni, përfshirë Milan Radoiçiqin, i cili në kohën e sulmeve ishte nënkryetar i Listës Serbe të mbështetur nga Beogradi në Kosovë. Ne nuk mund t’i besojmë Serbisë dhe nuk mund të presim të normalizojmë marrëdhëniet pa llogaridhënie të qartë si dhe pa garanci për mos-agresion.
Po ashtu, nëse raporti i UNMIK-ut do të kishte qenë më i balancuar dhe i saktë, ai do të kishte raportuar mbi zhvillimet në rajon, veçanërisht qasjen autoritare dhe shkatërruese të Serbisë, e cila është e dukshme përmes rritjes së armatimit, retorikës së përshkallëzimit ushtarak, fushatave të dezinformimit, spastrimit etnik administrativ të shqiptarëve në 3 komuna: Në Preshevë, në Bujanoc dhe në Medvegjë.
Pavarësisht këtyre sfidave, Kosova, vitin e kaluar, 2025, u njoh edhe nga 4 shtete anëtare të OKB-së: Kenia, Sudani, Siria si dhe Bahamas, dhe ne presim që të krijojmë dhe forcojmë marrëdhëniet diplomatike dhe politike.
U jemi mirënjohës 121 shteteve anëtare të OKB-së të cilat zyrtarisht e kanë njohur pavarësinë dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës. Unë u bëj thirrje shteteve të tjera të OKB-së që pa vonesë të mëtejshme, ta njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, dhe të hapin rrugë për miqësi dhe bashkëpunim të ri për përfitim të ndërsjellë.
Çelësi për paqe dhe stabilitet në Ballkan mbetet tek njohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-së.
Sa i përket sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, raporti i UNMIK-ut nuk i mbulon mjaftueshëm përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të luftuar korrupsionin, dhe i përmend shkurtimisht përpjekjet tona për promovimin e drejtësisë tranzicionale dhe ofrimin e drejtësisë ndaj viktimave përmes gjykimeve për krime lufte.
Megjithatë, përfshirja e një aneksi të gjerë mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar përbën një keqkarakterizim të natyrës juridike dhe një tejkalim të autoritetit raportues të UNMIK-ut. Dhomat e Specializuara nuk janë krijim i Rezolutës 1244. Ato nuk u krijuan nga ky Këshill, nuk nxjerrin autoritet prej tij dhe nuk bien brenda mandatit të UNMIK-ut. Dhomat e Specializuara u krijuan nëpërmjet një amendamenti kushtetues të miratuar nga Parlamenti i Kosovës. Baza e tyre ligjore rrjedh nga një shkëmbim dypalësh letrash midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Ato janë produkt i rendit ligjor sovran të Kosovës, të krijuar përmes proceseve legjislative demokratike dhe të mbështetura përmes partneritetit me Bashkimin Evropian. Dhomat e Specializuara duhet t’i raportojnë Parlamentit të Kosovës. Po kështu, prania e EULEX-it bazohet në marrëveshje me institucionet e Kosovës dhe duhet të kuptohet brenda këtij kuadri. Përpjekjet e vazhdueshme për të paraqitur institucionet e krijuara nga Kosova me një kuadër me status neutral ose të derivuar nga OKB-ja janë të papranueshme.
Më lejoni të përfundoj duke ndarë pikëpamjen tonë të kahershme, të ndarë edhe nga shumë anëtarë të Këshillit këtu, se mandati i UNMIK-ut ka përfunduar, dhe se burimet dhe stafi i OKB-së do të përdoreshin më mirë diku tjetër për të adresuar krizat dhe konfliktet e tjera urgjente.
Kosova tani është një shtet i pavarur, sovran dhe demokratik që ka arritur normalitetin dhe funksionalitetin, një pikë referimi e mjaftueshme për largimin e UNMIK-ut.
Siç demonstrohet nga përfshirja jonë e fundit në Bordin e Paqes, i cili u krijua nga Presidenti Trump, Kosova është e gatshme të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin në pjesë të tjera të botës, siç është Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit për Gazën, e cila u mandatua nga Rezoluta 2803 e këtij Këshilli, nëntorin e kaluar.
Fokusi nuk duhet të jetë në praninë e OKB-së në Kosovë, bur në pranimin e Kosovës në OKB. Ne besojmë se UNMIK-u duhet të transformohet në një zyrë që do të lehtësonte anëtarësimin e plotë të Kosovës në OKB dhe në agjencitë e mekanizmat e saj. Kjo do të ishte një mënyrë më e qëndrueshme për të përdorur burimet e OKB-së sesa përpjekja për të krijuar një rol që nuk ekziston.





