FIFA ia ka ndaluar trajnerit të Egjiptit, Hossam Hassan, të udhëheq për tre ndeshje ekipin dhe sulmuesit Mostafa Zico të luajë për pesë ndeshje për shkak të kritikave ndaj gjyqtarëve pas humbjes 3-2 ndaj Argjentinës në fazën e 1/8-tës në Kupën e Botës të këtij viti.
Hassan fajësoi gabimet e gjyqtarëve për eliminimin e vendit të tij pas ndeshjes, ndërsa Zico e ofendoi gjyqtarin në një deklaratë pas ndeshjes. Një gol i Zicos iu anulua për një faull në fillim të ndeshjes, dhe Egjipti kërkoi gjithashtu një penallti në minutat e fundit me rezultatin ende të barabartë 2-2.
Kryegjyqtari i FIFA-s, Pierluigi Collina, mbrojti arbitrimin në atë ndeshje dhe tha se deklaratat e Hassan dhe Zico mund të çonin në kërcënime ndaj gjyqtarëve dhe familjeve të tyre.

FIFA iu përgjigj akuzave dhe shpjegoi pse Egjipti nuk u dëmtua: Infantino nuk mund të ndikojë te gjyqtarët
Kujtojmë se pas ndeshjes, Hassan akuzoi gjyqtarët se shkaktuan eliminimin e ekipit të tij.
“Sot na mashtruan, na u bë padrejtësi. Ndoshta donin t’i mbanin kampionët e botës në garë. Ndoshta donin që Messi të qëndronte në lojë”, tha trajneri egjiptian.
Përzgjedhësi i Egjiptit lëshon akuza të rënda pas eliminimit ndaj Argjentinës
Zico ishte edhe më i ashpër, pasi një gol iu anulua gjatë ndeshjes për një faull në fillim të aksionit.
“Gjyqtari nuk ishte i drejtë. Ai na bëri një padrejtësi të qartë dhe shkatërroi përpjekjet e të gjithë vendit. Ai ishte i anshëm ndaj Argjentinës që nga fillimi i ndeshjes. Turneu ishte i manipuluar në favor të tyre”, tha sulmuesi. /Telegrafi/





