Hakerët e lidhur me shërbimet e inteligjencës ruse po synojnë aplikacionet e njohura të mesazheve me sulme të dizajnuara për të rrëmbyer llogaritë e përdoruesve të profilit të lartë, ka paralajmëruar FBI.
Në një këshillë të përbashkët me Agjencinë e Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës (CISA), FBI tha se fushata tashmë ka goditur me sukses mijëra llogari në të gjithë botën.
“Aktiviteti synon individë me vlerë të lartë inteligjence, siç janë zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarë të qeverisë amerikane, personeli ushtarak, figurat politike dhe gazetarët”, deklaroi FBI.

“Pasi kompromentojnë një llogari, aktorët keqdashës mund të shohin mesazhet dhe listat e kontakteve dhe të dërgojnë mesazhe”, shton deklarata.
Hetimet treguan se hakerët po synonin posaçërisht përdoruesit e Signal, megjithëse të njëjtat teknika “phishing” mund të aplikohen në aplikacione të tjera të njohura të mesazheve si WhatsApp dhe Telegram.
Signal tha në një deklaratë se sulmet kibernetike u “ekzekutuan nëpërmjet fushatave të sofistikuara të dizajnuara për të mashtruar përdoruesit që të ndajnë informacion”.
FBI dhe CISA këshilluan përdoruesit e aplikacioneve të mesazheve të jenë vigjilentë dhe t’i trajtojnë me dyshim të gjitha mesazhet e papritura nga kontaktet e panjohura. /Telegrafi/





