Fatmir Sopi: Peticioni është hapi i radhës për drejtësi, s’ka arsye që bashkëluftëtarët të mbahen më në paraburgim në Hagë

Nënkryetari i OVL-UÇK, Fatmir Sopi ka deklaruar se peticioni i nisur së fundmi përbën “hapin e radhës në drejtim të drejtësisë” për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, shkruan Gazeta 10.
Sipas Sopit, ky veprim vjen pas protestave të mëdha të mbajtura në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Strasburg dhe në Hagë, ku qytetarë dhe bashkëluftëtarë kanë shprehur mbështetjen e tyre dhe kanë kërkuar drejtësi.
“Ky është hapi ynë i radhës në drejtim të drejtësisë. Pas protestave madhështore, tani përmes këtij peticioni synojmë që në këtë fazë vendimtare, kur trupi gjykues pritet të marrë vendimin final, të tregojmë se i gjithë populli pret një gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, ka thënë  Sopi në Gazeta.
Ai ka theksuar se procesi gjyqësor ka zgjatur mbi  5 vite dhe, sipas tij, bashkëluftëtarët po mbahen padrejtësisht në paraburgim në Hagë.
“Mbi 5 vite proces i zgjatur e i stërzgjatur. Të gjitha provat janë administruar, është kryer i gjithë procesi dhe janë dhënë fjalët përfundimtare. Nuk ka më asnjë arsye që ata të qëndrojnë në paraburgim. Është dashur të lirohen në pritje të verdiktit të trupit gjykues”, është shprehur ai.
Sopi ka shtuar se përmes këtij peticioni, qytetarët, bashkëluftëtarët dhe opinioni publik synojnë të sensibilizojnë dhe vetëdijesojnë trupin gjykues që, siç tha ai, të mos marrë një vendim të gabuar “jo në emrin tonë”.
Deklarata e plotë: