Në komunën e Obiliqit, në rrugën “Hivzi Sulejmani”, një familje ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale si pasojë e vërshimeve që kanë ndodhur në fillim të këtij viti. Për shkak të vërshimeve, familjes Kajtazi i është rrëzuar edhe një pjesë e murit rrethues të oborrit të shtëpisë.
I dëmtuari Driton Kajtazi, thotë se përveç vërshimeve, dëmet janë shkaktuar edhe nga bllokimi i urave në lumin “Sitnica” dhe hedhja e dheut në shtratin e tij, gjë që ka penguar rrjedhjen normale të ujit.
Kajtazi ka deklaruar se si pasojë e kësaj situate, i është dëmtuar kuzhina, derisa mjetet tjera të vendosura në të nuk funksionojnë. Sipas tij, vlera e dëmeve materiale arrin rreth tetë mijë euro. Ai ka bërë të ditur se të hënën do t’i drejtohet Komunës së Obiliqit, ku do të dorëzojë dëshmitë për dëmet e shkaktuara dhe do të paraqesë ankesë për mbylljen e urave dhe kanaleve. Ai ka kërkuar nga komuna që të ndërmarrë masa për zgjidhjen e këtij problemi, duke theksuar se shkaktar i situatës është faktori njeri.
Pas ankesave të qytetarit, KosovaPress ka kontaktuar edhe kryetarin e komunës së Obiliqit, Halil Thaçin. Ai ka bërë të ditur se është formuar një komision i cili po merret me 19 pika problematike ku janë shënuar vërshime. Thaçi ka deklaruar se komuna ka ndërmarrë veprime konkrete për eliminimin e deponive ilegale, duke theksuar se deri më tani janë larguar 29 të tilla në territorin e komunës së Obiliqit.
Vërshimet e ditëve të para të këtij viti kanë shkaktuar dëme materiale në disa zona të Komunës së Obiliqit, veçanërisht në afërsi të lumit Sitnica.
Ballina Nacionale Familja nga Obiliqi fajëson qytetarët për vërshimet, bllokuan shtratin dhe urat e...



















