Familja e Chuck Norris paralajmëron masa ligjore kundër lajmeve të rreme për vdekjen e tij

Familja e Chuck Norris ka reaguar publikisht për shkak të informacioneve të rreme që po qarkullojnë në internet pas vdekjes së tij. Ata kanë paralajmëruar për video dhe publikime të krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale, në të cilat përhape...

Magazina

Familja e Chuck Norris ka reaguar publikisht për shkak të informacioneve të rreme që po qarkullojnë në internet pas vdekjes së tij. Ata kanë paralajmëruar për video dhe publikime të krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale, në të cilat përhapen pretendime të pavërteta mbi rrethanat e vdekjes së aktorit legjendar, i cili u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare. Sipas familjes, këto pretendime janë plotësisht të pasakta.

Në një deklaratë për publikun, familja theksoi se është e vetëdijshme për dezinformatat që po qarkullojnë pas vdekjes së aktorit. “Jemi në dijeni se pas vdekjes së Chuck-ut po shpërndahen shumë video dhe publikime të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, që përmbajnë pretendime të rreme dhe mashtruese për rrethanat e vdekjes së tij, gjendjen shëndetësore dhe për atë se kush ishte pranë tij në momentet e fundit”, thuhet në reagim. “Këto pretendime janë plotësisht të pavërteta”.

Familja u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e spekulimeve mbi historinë e supozuar mjekësore të aktorit dhe marrëdhëniet familjare. “Ju lutemi të mos besoni apo shpërndani informacione që nuk vijnë drejtpërdrejt nga familja Norris ose përfaqësuesi zyrtar i saj”, theksuan ata, duke falënderuar publikun për mirëkuptimin dhe mbështetjen.

Më 20 mars, familja kishte njoftuar se mjeshtri i arteve marciale dhe ylli i filmave aksion kishte ndërruar jetë pas hospitalizimit për probleme shëndetësore, natyra e të cilave nuk u bë publike. Ata kishin kërkuar gjithashtu respektimin e privatësisë lidhur me rrethanat e vdekjes.

“Ju lutemi ta dini se ai ishte i rrethuar nga familja dhe u largua në paqe”, kishin deklaruar ata. “Edhe pse zemrat tona janë të thyera, jemi thellësisht mirënjohës për jetën që ai jetoi dhe për momentet e paharrueshme që patëm fatin t’i ndajmë me të”.

Shkaku i saktë i vdekjes nuk është bërë publik. Pas tij kanë mbetur bashkëshortja Gena O’Kelley, fëmijët dhe nipërit. Me O’Kelley kishte binjakët Dakota dhe Danilee, ndërsa nga lidhje të mëparshme kishte djemtë Mike dhe Eric si dhe vajzën Dina.

Në javët pas vdekjes së tij, anëtarët e familjes i kanë bërë homazhe përmes mesazheve emocionale në rrjetet sociale. Djali i tij, Dakota Norris, shkroi në Instagram: “Baba, është e vështirë të gjej fjalët e duhura, por do të përpiqem. Ishe njeriu që e kam admiruar gjithë jetën. Bujaria, mirësia, guximi, integriteti, forca, disiplina dhe besimi yt janë vetëm disa nga cilësitë që kam vlerësuar gjithmonë”.

Ai shtoi se babai i tij kishte qenë gjithmonë pranë në çdo moment dhe se kujtimet e përbashkëta do ta shoqërojnë gjatë gjithë jetës.

Edhe mbesa e tij, Greta Norris, vajza e Mike-ut, u shpreh krenare që e kishte gjysh. “Nëse e keni njohur, e dini se ishte një nga njerëzit më të thjeshtë që mund të takonit. Në një dhomë plot njerëz, ai ju bënte të ndiheshit sikur ekzistonte vetëm biseda me ju”, shkroi ajo. /Telegrafi/