​Engel e donte Kosovën në BE, NATO e OKB deri më 2028, më së voni

Nacionale

Kongresmeni amerikan Eliot Engel ishte një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për shkak të lidhjes së tij të fortë me vendin, ai kishte vizituar Kosovën disa herë, duke qenë një prej figurave që e ka mbështetur fuqishëm rrugëtimin e saj drejt lirisë dhe pavarësisë nga Serbia. Një […]

Madhësia e shkronjave

Kongresmeni amerikan Eliot Engel ishte një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për shkak të lidhjes së tij të fortë me vendin, ai kishte vizituar Kosovën disa herë, duke qenë një prej figurave që e ka mbështetur fuqishëm rrugëtimin e saj drejt lirisë dhe pavarësisë nga Serbia.

Një nga këto vizita ishte edhe në kuadër të shënimit të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2018, kur ai ishte i ftuar si mysafir nderi.

Në atë rast, Engel kishte mbajtur një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ku kishte vlerësuar marrëdhëniet e ngushta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe përkushtimin pro-amerikan të qytetarëve të Kosovës.

“Nëse shikoni se ku ka qenë ky vend dhe ku po shkon, dhe çfarë ka arritur, unë them gëzuar ditëlindjen Kosovë, sepse keni pasur një ditëlindje të mrekullueshme. Mund t’ju them se askund në botë nuk ka njerëz më miqësorë ndaj Shteteve të Bashkuara sesa këtu në Kosovë. Prandaj ju falënderoj”, kishte deklaruar Engel.

Ai gjithashtu kishte shprehur dëshirën që Kosova brenda dhjetë viteve të ardhshme të njihej nga të gjitha shtetet e botës dhe të bëhej pjesë e organizatave ndërkombëtare.

“Dua ta shoh Kosovën në BE, në NATO dhe në Kombet e Bashkuara”, kishte deklaruar ai, duke theksuar se kjo ishte rruga e drejtë për të ardhmen e vendit. /Telegrafi/