Edhe Rabotniçki e mundi Arsimin

Me ndeshjen mes Rabotniçkit dhe Arsimit është mbyllur java e 22-të në Liga e Parë e Maqedonisë së Veriut. Skuadra e Rabotniçkit arriti fitore minimale 1-0 në duelin e zhvilluar në Shkup, duke e mbyllur kështu edhe rrethin e dytë të kampionatit, njofton Telegrafi.

Pjesa e parë kaloi me ritëm të qetë dhe me pak raste shënimi. Mysafirët nga Gostivari tentuan disa herë nga distanca përmes Beshagiçit, Gafurit dhe Ramadanit, por portieri Fabrice Ondoa reagoi mirë në çdo rast. Arsimi pati edhe dy mundësi të mira drejt fundit të pjesës së parë me Olatunbosun, por Ondoa mbajti portën e paprekur.

Në pjesën e dytë vendasit u treguan më kërkues dhe arritën golin e fitores në minutën e 66-të. Pas një depërtimi të mirë nga e djathta të Talakovit, topi përfundoi te Nikola Manojlov, i cili realizoi për 1-0. Arsimi tentoi të reagojë deri në fund dhe në kohën shtesë ishte pranë barazimit, por Ondoa edhe një herë shpëtoi skuadrën e tij.

Kjo ishte fitorja e tretë pranverore për Rabotniçkin, që tani numëron 16 pikë dhe mbetet në vendin e parafundit, ndërsa Arsimi mban pozitën e tetë me 26 pikë. /Telegrafi/