Ebola shkakton mbi 5.300 viktima në shpërthimin që po përhapet me ritmin më të shpejtë të regjistruar

Bota

Shpërthimi i fundit i virusit Ebola në Afrikë ka shkaktuar të paktën 5.376 viktima, shumica dërrmuese në Republikën Demokratike të Kongos (RDK), ndërsa mbi 10 mijë persona janë infektuar që nga muaji maj. Sipas Qendrës Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), virusi është përhapur edhe në vende të tjera të kontinentit. Agjencia […]

Madhësia e shkronjave

Shpërthimi i fundit i virusit Ebola në Afrikë ka shkaktuar të paktën 5.376 viktima, shumica dërrmuese në Republikën Demokratike të Kongos (RDK), ndërsa mbi 10 mijë persona janë infektuar që nga muaji maj.

Sipas Qendrës Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), virusi është përhapur edhe në vende të tjera të kontinentit. Agjencia i ka konfirmuar agjencisë AFP se nga numri i përgjithshëm i viktimave, 5.372 janë regjistruar në RDK, ndërsa nga dy në Kenia dhe Ugandë.

Sipas të dhënave të fundit të autoriteteve kongoleze, të publikuara më 31 tetor, shpërthimi ka infektuar më shumë se 10 mijë persona dhe ka një shkallë vdekshmërie mbi 50 për qind. Kjo e bën atë epideminë e Ebolës me përhapjen më të shpejtë dhe më të gjerë të regjistruar deri më tani.

Uganda, vend fqinj i Republikës Demokratike të Kongos, kishte regjistruar 20 raste, pothuajse të gjitha te persona që kishin udhëtuar nga RDK-ja, përpara se vendi të shpallej i çliruar nga Ebola në muajin gusht.

Ndërkohë, në tetor, Kenia raportoi nëntë raste infektimi, duke shënuar herën e parë që vendi konfirmonte raste të virusit Ebola, transmeton Telegrafi.

Po në të njëjtin muaj, edhe Nigeria, vendi me popullsinë më të madhe në Afrikë, raportoi një rast te një grua 42-vjeçare nga Zvicra, bashkëshorti i së cilës punon në ambasadën e vendit të tij në Abuja. Çifti kishte udhëtuar në Ugandë përpara se të kthehej në shtëpi.

Shpërthimi aktual shkaktohet nga virusi i rrallë Bundibugyo, për të cilin ende nuk ka vaksinë apo trajtim të miratuar. Ai transmetohet përmes kontaktit me lëngjet trupore të personave të infektuar dhe mund të shkaktojë ethe hemorragjike.

Ndërkohë, javëve të fundit kanë nisur provat klinike për vaksinën Ervebo, e cila ka dëshmuar efektivitet kundër variantit më të zakonshëm të virusit Ebola, të njohur si Zaire. Megjithatë, kjo vaksinë nuk është e miratuar për mbrojtjen ndaj variantit Bundibugyo që po shkakton shpërthimin aktual. /Telegrafi/

Komentet