Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Bolonja të Italisë ku një 12-vjeçari shqiptar ka ndërruar jetë pasi ra aksidentalisht nga kati i 8-të i pallatit.
I mituri, i identifikuar nga mediat italiane si L.P, ndodhej në tarracën e një godine në Via Piave, bashkë me dy shokë të tij, kur ndodhi aksidenti fatal, raporton A2cnn.
Sipas të dhënave paraprake mësohet se ai ka hipur mbi një dritare çatie prej peçikllazi (material plastik transparent që përdoret shpesh si zëvendësim i qelqit), e cila është thyer papritur nën peshën e tij.

Fillimisht, 12-vjeçari ka mbetur i varur dhe shokët janë përpjekur ta ndihmojnë duke e kapur, por nuk kanë arritur ta shpëtojnë. Për pasojë, ai ka rënë nga kati i tetë dhe ka ndërruar jetë në vend.
12-vjeçari shqiptar Louis Pisha nuk banonte në atë pallat.
Në vendin e ngjarjes mbërritën dhe shërbimet e emergjencës, por për fat të keq i mituri ndërroi jetë.
Nëna e të miturit, e tronditur, është shembur në tokë mes lotësh, duke kërkuar të dijë se çfarë kishte ndodhur me të birin.
Kjo është tragjedia e dytë në këtë zonë, pasi në vitin 2024 një tjetër i ri, 16-vjeçari Fallou Sall, humbi jetën pasi u godit me thikë gjatë një konflikti pranë të njëjtit pallat.





