E pabesueshme, por e vërtetë: Senegalit i hiqet titulli, Maroku shpallet kampion i Afrikës

Një vendim i bujshëm ka ardhur nga Konfederata Afrikane e Futbollit, pasi Komiteti i Apelit ka vendosur t’ia heqë titullin Senegalit nga Kupa e Kombeve të Afrikës 2026 dhe të shpallë kampion Marokun. Sipas vendimit zyrtar, finalja e këtij edicioni nd...

Sport

Një vendim i bujshëm ka ardhur nga Konfederata Afrikane e Futbollit, pasi Komiteti i Apelit ka vendosur t’ia heqë titullin Senegalit nga Kupa e Kombeve të Afrikës 2026 dhe të shpallë kampion Marokun.

Sipas vendimit zyrtar, finalja e këtij edicioni ndaj Marokut është regjistruar me rezultat 3-0 në favor të marokenëve, pasi është konstatuar se Senegali ka bërë shkelje të rregullores duke u tërhequr nga loja.

Ky vendim erdhi pas apelit të paraqitur nga Federata Marokene, duke u bazuar në nenet 82 dhe 84 të rregullores së garës.

Komiteti i Apelit i CAF-it e pranoi ankesën dhe rrëzoi vendimin e mëparshëm të Komitetit Disiplinor, duke e konsideruar sjelljen e Senegalit si dorëzim të ndeshjes.

Si pasojë, sipas Nenit 84, ndeshja regjistrohet zyrtarisht 3-0 për Marokun, që automatikisht shpallet kampion.

Finalja e zhvilluar më 18 janar 2026 u shoqërua me tensione të mëdha dhe vendime shumë të diskutueshme të gjyqtarit Jean-Jacques Ndala.

Në minutat shtesë të kohës së rregullt, Senegali arriti të shënojë për 1-0, por goli u anulua për një faull të diskutueshëm në sulm. Vetëm pak minuta më vonë, gjyqtari akordoi penallti për Marokun pas një ndërhyrjeje në zonë, vendim që u konfirmua edhe nga VAR-i, duke shkaktuar reagime të ashpra nga lojtarët dhe stafi senegalez.

Në kulmin e tensionit, trajneri Pape Thiaw urdhëroi lojtarët të largoheshin nga fusha në shenjë proteste. Pas rreth 20 minutash ndërprerje, skuadra u rikthye për të vazhduar lojën.

Penalltinë vendimtare e mori përsipër Brahim Diaz, i cili tentoi një goditje në stilin “Panenka”, por portieri Edouard Mendy e priti atë. Ndeshja shkoi në vazhdime, ku Pape Gueye shënoi golin e fitores për 1-0, duke i dhënë Senegalit titullin në fushë.

Megjithatë, vendimi i fundit i CAF-it e përmbys plotësisht epilogun e finales, duke ia hequr trofeun Senegalit dhe duke e kaluar atë në duart e Marokut, në një nga rastet më të rralla dhe më kontroverse në historinë e futbollit afrikan. /Telegrafi/