Seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt është shoqëruar me dëshmi tronditëse nga i akuzuari Granit Plava, i cili ka pretenduar se porositësi i dyshuar, Naim Murseli, i kishte premtuar mbrojtje përmes figurave të larta shtetërore.
Sipas dëshmisë së tij para trupit gjykues, Plava deklaroi se Murseli i kishte thënë se për rastin ishte në dijeni edhe Behgjet Pacolli, duke e siguruar se nuk do të qëndronte në burg më shumë se dy vjet.
“Ti e di çfarë pushteti kemi ne. Edhe Behgjet Pacolli e di. Nuk të lë më shumë se 2 vjet në burg”, citohet të ketë thënë Plava se i kishte deklaruar Murseli.

Plava shtoi se para ngjarjes ishte takuar disa herë me Murselin për të rënë dakord për kryerjen e vrasjes, ndërsa pretendon se fillimisht nuk e kishte ditur identitetin e viktimës.
Sipas tij, vetëm pas ngjarjes kishte kuptuar se bëhej fjalë për bashkëshorten e vetë Murselit, Liridona Ademaj.
Ai gjithashtu deklaroi se i ishin ofruar përfitime financiare dhe materiale, përfshirë një vend pune me pagë mujore, veturë dhe deri në 250 mijë euro në rast se do të mbante përgjegjësinë dhe do të vuante dënimin.
Sipas dëshmisë, në ditën e ngjarjes ai ishte dërguar në Prishtinë nga një person tjetër, ndërsa më parë kishte marrë edhe para në vlerë prej disa qindra eurosh.
Ndaj këtyre pretendimeve ka reaguar menjëherë Behgjet Pacolli, i cili i ka mohuar kategorikisht, duke i cilësuar si të pavërteta.
“Njerëz të çmendur, shumë të çmendur”, ka deklaruar ai për Tëvë1, duke u distancuar nga çdo përfshirje e pretenduar në këtë rast.
Gjatë seancës, ka ndërhyrë edhe i akuzuari tjetër, Naim Murseli, i cili i është drejtuar Plavës me fjalët “mos rrej”, duke kundërshtuar dëshminë e tij.
Procesi gjyqësor për këtë rast po vazhdon.





