Policia e Elbasanit këtë të mërkurë ka proceduar penalisht dy mjeke pasi dyshohet se nuk e kanë ushtruar si duhet detyrën e tyre, nga e cila ka humbur jetën një 63-vjeçare.
Mësohet se kallëzimi është bërë nga një qytetare, shtetasja E. T., e cila ka humbur nënën e saj, e cila ishte shtruar në këtë pavjon.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetaset E. R. dhe Xh. T., me detyrë mjeke në Urgjencën e spitalit të Elbasanit, pasi ka kallëzuar shtetasja E. T., se ka humbur jetën në këtë pavion, nëna e saj, shtetasja L. Gj., 63 vjeçe, dyshohet nga pakujdesia gjatë trajtimit mjekësor. Punohet për sqarimin e rrethanave dhe të shkakut të saktë të humbjes së jetës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/





