Duhet të jemi të sinqertë për Iranin dhe mënyrën se si lakmia jonë e shfrenuar për naftë po shkakton kaos

Nafta ka fuqizuar kapitalizmin dhe disa prej regjimeve më shfrytëzuese në botë. Duke u larguar prej saj, mund të zgjidhim disa nga problemet kryesore me të cilat përballemi. Nga: George Monbiot / The Guardian Përkthimi: Telegrafi.com E kuptoj që kjo ...

opinion

Nafta ka fuqizuar kapitalizmin dhe disa prej regjimeve më shfrytëzuese në botë. Duke u larguar prej saj, mund të zgjidhim disa nga problemet kryesore me të cilat përballemi.

Nga: George Monbiot / The Guardian Përkthimi: Telegrafi.com

E kuptoj që kjo është një shkelje serioze e etikës. Por, a mund të lëmë mënjanë mirësjelljen dhe ta vendosim në kontekst sulmin e Donald Trumpin ndaj Iranit? Interesi i madh perëndimor për Lindjen e Mesme dhe për Azinë Perëndimore e Qendrore, që ka zgjatur për më shumë se një shekull, si dhe përpjekjet e pafundme të qeverive të huaja për t’i formësuar dhe kontrolluar këto rajone, nuk janë reagime të rastësishme politike. Ato lidhen disi me burimet e karburanteve që ndodhen nën tokë.

Qëllimet e luftës së Trumpit janë zakonisht të paqarta: madje të pakuptueshme edhe për vetë atë. Por, Irani nuk do të trajtohej si “armik i Perëndimit” nëse nuk do të kishte ndodhur ajo që ndodhi në vitin 1953, kur qeveria e Winston Churchillit bindi CIA-n të organizonte një grusht shteti kundër qeverisë popullore demokratike të Mohammad Mossadeghut. Mbretëria e Bashkuar e bëri këtë sepse Mossadeghu kërkonte të shtetëzonte Kompaninë Anglo-Iraniane të Naftës: për të ndaluar një fuqi të huaj të vidhte pasurinë e vendit. ShBA-ja, me mbështetjen e Britanisë, u përpoq dy herë ta rrëzonte atë dhe ia doli në përpjekjen e dytë, me ndihmën e disa ajatollahëve oportunistë. U rikthye në pushtet shahu, Mohammad Reza Pahlavi. Në vitin 1954, Kompania Anglo-Iraniane e Naftës u bë British Petroleum, më vonë BP.

Zemërimi për grushtin e shtetit të vitit 1953, i kombinuar me shtypjen gjithnjë e më të egër nën diktaturën e shahut, shkaktoi revolucionin e vitit 1979, i cili u kap nga ajatollahët me pasoja të tmerrshme për shumë iranianë. Ata nuk do të drejtonin vendin nëse qeveritë tona nuk do ta kishin shtypur me dhunë demokracinë për hir të naftës.

Nëse tërhiqemi një hap nga kjo histori, shohim diçka tjetër që duhet të jetë e qartë. Bashkimi i kapitalizmit me “tregjet e lira” është një nga gënjeshtrat më të suksesshme në historinë njerëzore. Plaçkitja historike dhe e vazhdueshme e burimeve; policia, ushtritë dhe skuadrat e vdekjes të përdorura kundër atyre që rezistojnë; zhvendosja e fitimeve nga vendet më pak të fuqishme drejt fuqive të mëdha; frikësimi i punëtorëve; mashtrimi i konsumatorëve; nxjerrja e qirave ekonomike; hedhja e kostove mbi planetin e gjallë: e gjithë kjo është e kundërta e “lirisë”. Është thellësisht detyruese dhe jashtëzakonisht e kushtueshme.

Shpeshherë, nuk ka as shenja të një tregu të mirëfilltë. Toka, mallrat dhe puna, në shumë raste, thjesht vidhen. Burimet publike – qofshin rezerva nafte, pyje, sisteme ujore apo hekurudha – u jepen (ose shiten shumë më lirë se vlera e tyre) monopolistëve privatë. Të pasurit shpëtohen nga shteti kur hasin vështirësi, ndërsa të varfrit duhet të mbijetojnë vetë. “Kapitalizmi i tregut të lirë” është një kundërthënie në vetvete.

Fuqia ushtarake e botës ekziston në një masë të madhe për të siguruar fitimin nga burimet – veçanërisht nafta – për bankat dhe aksionarët, tregtarët e mallrave dhe menaxherët e aseteve, fondet spekulative dhe kompanitë e kapitalit privat. Për të njëjtin qëllim, mobilizohet infrastruktura e bindjes – lobistët, media, algoritmet e rrjeteve sociale – për të siguruar që njerëzit më amoralë, më sadistë dhe më luftënxitës të zgjidhen si liderë, pasi ata do të garantojnë rrjedhën e naftës dhe burimeve të tjera për përfitimin e kapitalit, pavarësisht kostos njerëzore. Kundërshtarët e tyre demonizohen, ndërsa alternativat hidhen poshtë si “jorealiste”, “jopopullore” dhe “të papërballueshme”.

Kjo është arsyeja pse ne vazhdimisht nënvlerësojmë dëshirën e njerëzve për ndryshim. Për shembull, një studim tregon se 89 përqind e njerëzve në botë duan më shumë veprim për të ndalur krizën klimatike. Megjithatë, të njëjtët njerëz besojnë se janë pakicë. Në kulmin e pandemisë së Kovidit-19, sondazhet tregonin vazhdimisht se shumica dërrmuese shpresonte të dilte në një botë më të mirë, ku shëndeti, mirëqenia dhe mbrojtja e mjedisit do të kishin përparësi ndaj rritjes ekonomike. Por, qeveritë shpenzuan miliarda për të rikthyer çrregullimet tona.

Ndërsa industritë e hidrokarbureve dhe mbështetësit e tyre financiarë ndihen të kërcënuar nga teknologjitë e gjelbra, është forcuar kontrolli i tyre mbi qeveritë dhe median. Ata kanë investuar shuma të mëdha në mohimin e ndryshimeve klimatike dhe në fushata për të dekurajuar publikun. Politika është bërë më e ashpër, më pak e hapur dhe më pak tolerante. Rënia e demokracisë është në një masë të madhe e nxitur nga interesat e karburanteve fosile. I gjithë planeti vuan nga “mallkimi i burimeve”.

Nafta nuk e shkaktoi kapitalizmin, por e ka zgjeruar dhe fuqizuar atë në mënyrë të jashtëzakonshme. Nëse ulim varësinë tonë nga nafta, ne ndërpresim disa nga marrëdhëniet më të dhunshme dhe shfrytëzuese në botë. Ne i heqim “karburantin” diktaturave dhe makinave të luftës, grushteve të shtetit dhe atentateve, pushtimeve dhe kërcënimeve bërthamore. Sigurisht, kjo nuk është gjithçka: do të ketë ende luftëra për ujë, tokë dhe minerale. Por, kjo është shumë.

Ne gjithashtu do të ndalnim dhunën më të madhe që njerëzimi ka ushtruar ndonjëherë ndaj vetes: degradimin e jetës sonë përmes krizës klimatike. Dy emergjencat – politike dhe mjedisore – janë një. Duhet të vëmë veten në një gjendje mobilizimi kundër luftës me urgjencën që kombet zakonisht përdorin për luftë: një program emergjent për të nxjerrë karburantet fosile nga jeta jonë, më shpejt dhe më thellë sesa po planifikon aktualisht çdo qeveri.

Një ndërhyrje kyçe është Informim Kombëtar për Emergjencat [National Emergency Briefing], filmi i ardhshëm i së cilës, i shfaqur në kinema nga vullnetarë në të gjithë vendin, do t’i bëjë presion qeverisë të shpjegojë siç duhet situatën dhe të mobilizohet për veprim të plotë. Nëse shqetësoheni për koston, merrni parasysh këtë: Komiteti për Ndryshimet Klimatike i qeverisë vlerëson se kostoja shtesë e një rritjeje të vetme të çmimeve të karburanteve fosile, në shkallën e vitit 2022, është afërsisht e barabartë me gjithë koston e arritjes së neutralitetit klimatik deri në vitin 2050. Goditja e çmimeve e shkaktuar nga sulmi i Trumpit ndaj Iranit ka gjasa të jetë edhe më e madhe. Nga rritja e çmimeve të naftës nuk fitojmë asgjë, ndërsa nga programi për neutralitet klimatik fitojmë një sistem më të ri energjie, më të sigurt dhe më të lirë.

Nuk dua të sugjeroj se mposhtja e industrisë së karburanteve fosile është e lehtë. Kapitali do të përdorë gjithçka që ka për të na ndaluar. Këtë e zbuloi Rebelimi i Zhdukjes [Extinction Rebellion] në Mbretërinë e Bashkuar, kur u hartuan ligje të ashpra për të shtypur protestat. Këtë e përjetuan aktivistët e Shkëmbit Rezistues [Standing Rock] në ShBA, kur u përpoqën të ndalonin një tubacion nafte që do të kalonte në tokat e tyre. Dhe, këtë e përjetojnë edhe më brutalisht mbrojtësit e tokës në Jugun Global, kur paramilitarët i qëllojnë me armë. Kontrolli mbi burimet është forca shtytëse e politikës. Demokracia, për momentin, është vetëm një shfaqje dritash mbi muret e kështjellës.

Fuqia e përqendruar e karburanteve fosile çon në përqendrim të pushtetit politik. Po të kishim qenë më pak të varur nga këto burime, ndoshta nuk do të kishim pasur presidentin Trump, president Putin, ajatollahët apo kryeministrin Netanyahu. Karburantet fosile e shtyjnë botën drejt autokracisë. Nëse përmbysim kërkesën tonë për to, përmbysim edhe një pjesë të madhe të tiranisë aktuale. Më e gjelbër, më e pastër, më e lirë, më e drejtë: çfarë bote të bukur do të mund të kishim. /Telegrafi/