Një operacion i gjerë policor ka çuar në zbulimin e një baze për prodhimin e drogës sintetike në Durrës, ku lënda narkotike përpunohej në formë karamelesh dhe shpërndahej pranë shkollave.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni i koduar “Shije e hidhur” është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me strukturat operative të Policisë, me fokus parandalimin e shpërndarjes së drogës tek të rinjtë.
Gjatë aksionit janë arrestuar në flagrancë dy vëllezër, shtetasit me iniciale L. L., 20 vjeç dhe R. L., 25 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtori i tyre, Xh. L., 20 vjeç, për të cilin po vazhdon puna për kapjen.

Sipas hetimeve, të dyshuarit kishin ngritur një bazë për përpunimin e drogave sintetike, duke prodhuar lëndë narkotike në formë xhelatine (“karamele”), të cilat më pas shpërndaheshin kryesisht te adoleshentët pranë shkollave të mesme.
Gjatë kontrollit pranë zonës së shkollave, policia i ka gjetur njërit prej të dyshuarve 50 paketime me lëndë narkotike në formë karameleje, me peshë rreth 650 gramë.
Ndërkohë, nga kontrolli në banesën e tyre në Tiranë janë sekuestruar sasi të tjera të konsiderueshme, përfshirë xhelatinë në formë karameleje, lëndë narkotike kanabis, rreth 550 gramë material sintetik për prodhim, peshore elektronike, kallëpe plastike dhe përbërës të ndryshëm që shërbenin për përpunimin e drogës.
Autoritetet bëjnë të ditur se secili nga të dyshuarit kishte rol të caktuar në këtë veprimtari kriminale, duke u marrë me prodhimin, transportimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Policia, në bashkëpunim me prokurorinë, po vazhdon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet, ndërsa materialet procedurale do t’i referohen organit të akuzës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim./Telegrafi/





