Dogana e Kosovës zbulon 1000 litra etanol në rajonin e Prizrenit me origjinë nga Serbia, shmangie nga taksat mbi 6 mijë euro

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se në rajonin e Prizrenit, Njësitë Antikontrabandë kanë realizuar dy raste të ndara operative, ku është zbuluar një sasi e konsiderueshme e etanolit (alkool i koncentruar 96%), me origjinë nga Serbia, që dyshohet se ...

Nacionale

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se në rajonin e Prizrenit, Njësitë Antikontrabandë kanë realizuar dy raste të ndara operative, ku është zbuluar një sasi e konsiderueshme e etanolit (alkool i koncentruar 96%), me origjinë nga Serbia, që dyshohet se ishte futur në qarkullim ilegal me qëllim shmangien nga taksat e aplikueshme doganore.

Gjatë kontrollit në terren, njësitet antikontrabandë kanë ndaluar një automjet transportues, ku gjatë kontrollit janë gjetur 500 litra etanol (alkool 96%) pa dokumentacion përkatës përcjellës.

“Personat e përfshirë nuk kanë poseduar dokumentacion që dëshmon origjinën e rregullt të mallit, importin legal apo pagesën e taksave doganore.

Pas ndalimit të automjetit, janë ndërmarrë veprime të menjëhershme operativ-hetimore dhe kontrolle shtesë në lokacione të dyshuara. Si rezultat i këtyre veprimeve profesionale dhe koordinimit operacional, është arritur të zbulohet edhe një sasi tjetër prej 500 litrave etanol (alkool 96%), e fshehur në garazhin e një shtëpie në të njëjtin rajon”, thuhet në njoftim.

Sasia e përgjithshme e zbuluar arrin në 1000 litra etanol (alkool i koncentruar 96%), për të cilën dyshohet se ka origjinë nga Serbia dhe për të cilën nuk është paraqitur asnjë dokumentacion që dëshmon origjinën, importin e rregullt apo pagesën e detyrimeve fiskale.

E gjithë sasia është sekuestruar nga Dogana e Kosovës.

Bazuar në llogaritjet fiskale, kjo sasi përfaqëson shmangie nga pagesa e akcizës, taksave doganore dhe TVSH-së në vlerë rreth 6,260 euro, duke shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë në buxhetin e Republikës së Kosovës dhe konkurrencë të padrejtë në treg.

Rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt hetimore në koordinim me institucionet kompetente dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore ndaj personave të përfshirë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. /Telegrafi/