Dobrosini: Kush ka të drejtë ta shfrytëzojë pikën kufitare?

Pas raportimeve të shumta nga qytetarët për ndalesa dhe kthime në pikën kufitare Stublinë–Dobrosin, redaksia e Bujanoci.net ka adresuar pyetje zyrtare drejt Policisë së Kosovës për të sqaruar situatën në terren. Në përgjigjen e kthyer, Policia e Kosovës thekson se kalimi kufitar realizohet “në përputhje me vendimet dhe rregulloret në fuqi”, duke bërë të ditur […]

Vendore

Pas raportimeve të shumta nga qytetarët për ndalesa dhe kthime në pikën kufitare Stublinë–Dobrosin, redaksia e Bujanoci.net ka adresuar pyetje zyrtare drejt Policisë së Kosovës për të sqaruar situatën në terren.

Në përgjigjen e kthyer, Policia e Kosovës thekson se kalimi kufitar realizohet “në përputhje me vendimet dhe rregulloret në fuqi”, duke bërë të ditur se pikat kufitare Dobrosin dhe Breznicë janë pika lokale kufitare me “karakter të njëanshëm për qarkullim”.

Sipas Policisë, këto pika mund të shfrytëzohen në rrethana të caktuara, kryesisht nga banorët e zonave përreth, përfshirë qytetarët nga Presheva dhe Bujanoci, duke respektuar kushtet dhe autorizimet e përcaktuara nga autoritetet kompetente.

Megjithatë, edhe pas pyetjeve shtesë të dërguara nga redaksia jonë, përgjigja e Policisë ka mbetur e njëjtë, pa ofruar sqarime konkrete mbi çështjet kryesore të ngritura.

Konkretisht, Bujanoci.net ka kërkuar të dijë:

  • cilat janë kushtet e sakta për kalim në këto pika kufitare
  • nëse ekziston një vendim i shkruar që kufizon qarkullimin
  • në cilat raste qytetarët mund të ndalohen apo të kthehen

Por këto pyetje nuk kanë marrë përgjigje të drejtpërdrejtë nga autoritetet policore.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë thirrje që qytetarët të mos bien pre e dezinformatave që mund të qarkullojnë në rrjete sociale dhe të referohen vetëm në burime zyrtare.

Pavarësisht kësaj, mungesa e një sqarimi të detajuar lidhur me kriteret konkrete të qarkullimit në këto pika kufitare vazhdon të krijojë paqartësi dhe shqetësim tek qytetarët, sidomos duke marrë parasysh raportimet e shumta për kthime nga terreni.

Bujanoci.net do të vazhdojë të kërkojë transparencë dhe sqarime shtesë nga institucionet përkatëse për këtë çështje.
_________________________________
Sqarim për qytetarët:
Pika kufitare Dobrosin mund të përdoret kryesisht nga banorët e zonave përreth, përfshirë ata nga Presheva dhe Bujanoci. Të tjerët mund të kalojnë vetëm nëse plotësojnë kushtet dhe autorizimet e vendosura nga autoritetet kompetente, sipas raportit të shkruar nga Policia e Kosovës, për redaksin tonë Bujanoci.Net
_________________________________