DnV publikon raportin përfundimtar për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe hap debatin për reformë zgjedhore

Demokracia në Veprim (DnV) ka prezantuar raportin final të vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025, duke nxitur debat për nevojën e reformave konkrete në sistemin zgjedhor në Kosovë. Raporti përmbledh gjetjet nga të gjitha...

Nacionale
Reklame

Demokracia në Veprim (DnV) ka prezantuar raportin final të vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025, duke nxitur debat për nevojën e reformave konkrete në sistemin zgjedhor në Kosovë.

Raporti përmbledh gjetjet nga të gjitha fazat e procesit zgjedhor, me theks të veçantë në periudhën paszgjedhore, sidomos në numërimin dhe rinumërimin e votave preferenciale. Sipas DnV-së, mbi 242 mijë ndryshime në këto vota dhe një proces që zgjati më shumë se një muaj e gjysmë, zhvendosën vëmendjen nga rezultati final te funksionimi i vetë sistemit zgjedhor.

Në raport trajtohen disa nga dimensionet kryesore të procesit, përfshirë rolin e administratës zgjedhore, organizimin e votimit jashtë vendit dhe barazinë në garë gjatë fushatës. U theksua se zgjedhjet duhet të shihen si një proces i plotë, që nis shumë përpara ditës së votimit dhe përmbyllet vetëm pas trajtimit të të gjitha fazave, përfshirë numërimin dhe drejtësinë zgjedhore.

Pas prezantimit të raportit, një panel diskutimi me përfaqësues të partive politike, institucioneve zgjedhore dhe akterëve të tjerë u përqendrua në nevojën për reforma që tejkalojnë ndryshimet teknike. Në këtë kuadër u diskutuan edhe çështje më substanciale, si zonat zgjedhore, mënyra e zgjedhjes së Presidentit dhe pragu zgjedhor.

Diskutimi trajtoi gjithashtu aspektet teknike të procesit, duke përfshirë modelin e numërimit të votave, rolin dhe përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, organizimin e votimit jashtë vendit dhe ndikimin e vendimeve financiare të ekzekutivit në garën zgjedhore.

Sipas pjesëmarrësve, organizimi i zgjedhjeve, veçanërisht në kushte të afateve të shkurtra, mbetet sfidë serioze për administratën zgjedhore, ndërsa kompleksiteti i procesit kërkon planifikim më të mirë dhe kapacitete më të qëndrueshme.

Në përfundim, u theksua se shumë nga problemet e evidentuara janë të njohura dhe të përsëritura nga proceset e mëhershme, duke nënvizuar nevojën që rekomandimet të mos mbeten vetëm në nivel raportimi, por të shndërrohen në hapa konkretë për përmirësimin e sistemit zgjedhor në vend.