Dimitrieska-Koçoska: Udhëheqim procedurë transparente për kthimin e tatimit të solidaritetit, filloi pagesa e pjesës së parë

Ministria e Financave filloi pagesën e mjeteve ndaj kompanive që gjatë vitit 2023 kanë paguar mjete në buxhet në bazë të Ligjit të Tatimit të Solidaritetit. Nëpërmjet Thesarit të Ministrisë së Financave deri më tani janë realizuar urdhërpagesa në vle...

Nacionale

Ministria e Financave filloi pagesën e mjeteve ndaj kompanive që gjatë vitit 2023 kanë paguar mjete në buxhet në bazë të Ligjit të Tatimit të Solidaritetit. Nëpërmjet Thesarit të Ministrisë së Financave deri më tani janë realizuar urdhërpagesa në vlerë të përgjithshme prej 900 milionë denarëve.

Vlera e përgjithshme që kompanitë kanë paguar në vitin 2023 në Buxhet ishte 3 miliardë denarë. Gjysma e kësaj vlere qeveria do të kthejë deri në fund të këtij muaji, ndërsa gjysmën tjetër do të paguhet në mars të vitit 2027.

“Ministria e Financave në bazë të detyrimit të Qeverisë, kreu procedurë transparente dhe gjithëpërfshirëse nëpërmjet së cilës u përcaktua modaliteti me të cilën Qeveria do t’i kthejë mjetet të cilat janë paguar nga kompanitë sipas vendimit ligjor që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese. Bëhet fjalë për procedurë që e kemi përcaktuar së bashku me kompanitë në mënyrë që të jemi në gjendje të kthejmë mjetet, pa prishur likuiditetin e Buxhetit”, tha ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska.

Ligji i Tatimit të Solidaritetit u miratua nga Kuvendi në vitin 2023. Me këtë vendim ligjor u përfshinë kompani që gjatë vitit 2022 realizuan të ardhura të përgjithshme më të larta se 615 milionë denarë dhe në përputhje me ligjin, në Buxhet gjatë vitit 2023 u arkëtuan 49.2 milionë euro nga 156 kompani. Pas shfuqizimit të ligjit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, shteti kishte detyrimin që t’i kthejë mjetet që ishin paguar në Buxhet bazuar në ligjin në fjalë.

Kthimi i mjeteve bëhet në bazë të kërkesës së parashtruar nga kompanitë pranë Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe në përputhje me Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për formën dhe përmbajtjen e formularit të kërkesës për kthimin e tatimit të tepërt ose të paguar gabimisht. Kompanitë i parashtrojnë kërkesat pranë Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe sipas të dhënave, deri më tani, janë parashtruar kërkesa nga 117 kompani.