Trajneri i Atletico Madridit Diego Simeone ka lavdëruar Barcelonën para përballjes çerekfinaliste të Ligës së Kampionëve.
Atletico dhe Barcelona do të takohen në çerekfinale pasi eliminuan Tottenham, respektivisht Newcastle United nga gara për trofeun më prestigjioz në botë.
Atletico e Simones arriti ta eliminojë Barcelonën nga Kupa e Mbretit, megjithatë tekniku argjentinas është i bindur se mund t’ia dalë sërish pavarësisht vështirësive.

“Do të provojmë të garojmë me Barcelonën, që është skuadra me të cilën do të përballemi. E përsëris, kanë sulmin më të mirë në Evropë. Mundësia që të luajmë në çerekfinale është e nivelit më të lartë dhe do të na kërkojë këtë nivel”.
“Rivaliteti me Realin dhe Barcelonën? Është normal. Problemi qëndron tek ata që s’duan ta shohin. Garojmë me skuadra që e synojnë Ligën, Kupën dhe janë thuajse çdo herë në finalen e Ligës së Kampionëve”.
“Burgos thotë se gjithmonë dëshiron miqësore me Realin dhe Barcelonën sepse kur garojmë me ta, bëhemi më të mirë. Barcelona është më e mirë, por shpresoj që kjo të na shtyjë të garojmë në nivelin më të mirë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Atletico dhe Barcelona do të zhvillojnë tre përballje brenda 10 ditëve, pasi takohen edhe në kuadër të La Liga-s./Telegrafi/





