Mijëra mbështetës të opozitës janë mbledhur në Delhi, ndërsa protestat kundër qeverisë së Narendra Modit po marrin gjithnjë e më shumë hov.
Të udhëhequr nga Partia e Kongresit, aleanca opozitare e Indisë ka mbledhur përkrahës nga e gjithë vendi, mes një zemërimi në rritje lidhur me një rishikim në shkallë të gjerë të regjistrit zgjedhor, gjatë të cilit janë fshirë 130 milionë emra, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Udhëheqësit e opozitës pretendojnë se ky proces i jep partisë në pushtet të Modit, Bharatiya Janata (BJP), një avantazh zgjedhor, dhe kanë kërkuar dorëheqjen e kryekomisionerit zgjedhor, Gyanesh Kumar, si dhe nisjen e procedurave për shkarkimin e tij.
BJP i ka hedhur poshtë këto pretendime.
Duke iu drejtuar dhjetëra mijëra anëtarëve dhe mbështetësve të partisë, lideri i opozitës Rahul Gandhi deklaroi se Kumar ka “kryer krimin më të madh. Ai është përpjekur të heshtë zërin e popullit, të mbytë vendin tonë”.
Gandhi theksoi se opozita, e bashkuar nën akronimin INDIA (Aleanca Gjithëpërfshirëse për Zhvillimin Kombëtar të Indisë), nuk do të lejojë që “demokracia të marrë fund në vend” dhe paralajmëroi Modin: “Nuk ke ku të shkosh”.
Kjo protestë ishte një nga shfaqjet më të mëdha të forcës së opozitës në vitet e fundit, duke ndodhur në një kohë kur po rishfaqet pakënaqësia kundër qeverisë – një pakënaqësi që, gjatë 12 viteve të regjimit të Modit, ishte shtypur në mënyrë sistematike.
Sfida më e madhe ndaj regjimit ka ardhur nga protestat e udhëhequra nga të rinjtë, të cilat shpërthyen gjatë verës.
Këto protesta u organizuan nga një lëvizje që, në mënyrë satirike, e quajti veten “Buburrecat” (Cockroaches) dhe arriti të detyronte dorëheqjen e njërit prej ministrave të kabinetit të Modit.
Lëvizja e “Buburrecave” doli sërish në rrugë muajin e kaluar, duke kundërshtuar gjithashtu rishikimin e regjistrave zgjedhorë, proces i njohur si “Rishikim Special Intensiv” (SIR).
Opozita, e në veçanti Partia e Kongresit, ka marrë më shumë guxim pas mobilizimit të të rinjve.
Megjithatë, vazhdon të ketë një mungesë të theksuar besimi midis partive tradicionale opozitare dhe lëvizjes së “Buburrecave”.
Të dielën, ndonëse drejtuesit e kësaj lëvizjeje shprehën mbështetjen e tyre për tubimin e opozitës, ata nuk morën pjesë personalisht. /Telegrafi/