Ballina Vendore Demo Berisha: E ardhmja e të drejtave të shqiptarëve në Luginë nuk...

Demo Berisha: E ardhmja e të drejtave të shqiptarëve në Luginë nuk vendoset në Uashington, por në dialog në Beograd

27

Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogut Social të Serbisë, Demo Berisha, ka deklaruar se çështjet që lidhen me të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk zgjidhen jashtë Serbisë, por përmes dialogut të drejtpërdrejtë në Beograd.

Duke komentuar projektligjin e propozuar nga kongresmeni republikan amerikan Keith Self për pozitën e pakicave në Serbi, i cili është miratuar nga Komiteti i Punëve të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Berisha tha se bëhet fjalë vetëm për një hap fillestar dhe se mbetet të shihet nëse do të miratohet përfundimisht.

Reklama

Ai theksoi se ky propozim nuk i referohet ekskluzivisht shqiptarëve, por trajton të drejtat e njeriut në Serbi në përgjithësi, me theks të veçantë në Luginën e Preshevës, transmeton preshevacom.

Sipas Berishës, përcjell preshevacom, në Serbi nuk ka shkelje të të drejtave të njeriut apo të pakicave, përfshirë edhe shqiptarët. Ai pranoi se ekzistojnë fusha që mund të përmirësohen, por vlerësoi se iniciativa amerikane përbën një përpjekje për politizim të çështjes.

Duke folur për pasivizimin e adresave, Berisha theksoi se kjo procedurë zbatohet për të gjithë qytetarët e Serbisë dhe jo vetëm për shqiptarët. Sipas tij, pasivizimi nuk nënkupton humbjen e të drejtës për banim, por një procedurë administrative që mund të rregullohet brenda afateve ligjore.

Ai shtoi se mungesa e interesimit të qytetarëve për të rregulluar statusin e tyre është kthyer në temë politike.Në lidhje me njohjen e diplomave të Universitetit të Prishtinës, Berisha kujtoi se kjo çështje rregullohet përmes dialogut dhe është në kompetencë të Ministrisë së Arsimit të Serbisë. Ai theksoi se diplomat nuk refuzohen në tërësi, por njihen përmes një procedure verifikimi në Bruksel, pa marrëdhënie të drejtpërdrejtë institucionale me Prishtinën.

Berisha kritikoi ashpër përzierjen e politikës së Kosovës me zhvillimet në Luginën e Preshevës, duke përmendur rolin politik të disa përfaqësuesve lokalë shqiptarë. Ai paralajmëroi se deklaratat që krahasojnë situatën aktuale me zhvillimet që çuan në konfliktin e Kosovës në vitet ’90 janë të rrezikshme dhe nuk kontribuojnë në stabilitet.

Ministri theksoi se ka mungesë dialogu me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar, duke bërë të ditur se ka dërguar disa ftesa zyrtare për takime, por pa përgjigje. Ai vlerësoi bashkëpunimin në Bujanoc, ku ekziston një qeverisje multietnike, duke e cilësuar atë si shembull pozitiv.Në fund, Berisha theksoi se dialogu është e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve dhe se lidhja e çështjes së Kosovës me Luginën e Preshevës është një qasje e gabuar.

Sipas tij, e ardhmja e të drejtave të shqiptarëve nuk vendoset në Uashington, por përmes bisedimeve me institucionet përkatëse në Beograd.

- Reklamë -