Deda: Kriza për presidentin do të shmangej nëse Kurti do t’i tregonte me kohë Osmanit se nuk e mbështet për mandat të dytë

Analisti politik Ilir Deda ka vlerësuar se situata aktuale në vend lidhur me moszgjedhjen e presidentit do të mund të shmangej nëse kryeministri Albin Kurti do ta kishte njoftuar me kohë presidenten Vjosa Osmani se nuk e ka mbështetjen e tij për një mandat të dytë.

Përmes një reagimi publik, Deda tha se një veprim i tillë do të kishte qenë “korrektësia minimale” pas një bashkëpunimi gjashtëvjeçar mes tyre.

Sipas tij, kriza aktuale lidhet me përpjekjen për kontroll të plotë të institucioneve në vend.

“Këtë krizë e ka shkaktuar dëshira për kontroll absolut të çdo institucioni në vend”, ka shkruar ai.

Deda theksoi se një aleancë politike nuk duhet të nënkuptojë heshtje përballë shkeljeve të Kushtetutës apo abuzimeve institucionale. Sipas tij, mbi çdo interes partiak duhet të qëndrojë interesi i vendit.

Ai shtoi se loja politike rreth mandatit të dytë të presidentes ka nxjerrë në pah mënyrën se si funksionon politika partiake, e cila, sipas tij, shpesh bazohet në interesat momentale të partive.

Analisti vlerësoi se kriza aktuale mund të ishte shmangur nëse do të ishte gjetur një figurë konsensuale për president, në bashkëpunim me partitë opozitare, në vend të përplasjeve politike dhe fajësimeve të ndërsjella./Telegrafi.