Dardanët U21 të bashkuar për rezultate pozitive

Kombëtarja U21 e Kosovës ka nisur grumbullimin për dy ndeshjet e këtij muaji, kundër Rumanisë dhe Spanjës, ndërsa disa nga futbollistët kanë folur për faqen zyrtare të FFK-së, duke shprehur optimizëm dhe gatishmëri maksimale. Rezultatet në këto dy sf...

Sport

Kombëtarja U21 e Kosovës ka nisur grumbullimin për dy ndeshjet e këtij muaji, kundër Rumanisë dhe Spanjës, ndërsa disa nga futbollistët kanë folur për faqen zyrtare të FFK-së, duke shprehur optimizëm dhe gatishmëri maksimale.

Rezultatet në këto dy sfida në masë të madhe do ta orientojnë rrugëtimin e Dardanëve në ciklin kualifikues për Euro 2027.

Arjol Bllaca u shpreh i lumtur për ftesën dhe krenar për përfaqësimin e vendit:

“Faleminderit trajnerit për ftesën. Është kënaqësi dhe krenari të përfaqësoj vendin tim. Ky është grumbullimi im i parë me Kombëtaren U21 dhe shpresoj të paraqitem sa më mirë. Stërvitjet po zhvillohen shumë mirë dhe jemi duke u përgatitur maksimalisht. Na presin dy ndeshje shumë të vështira, por me cilësinë që kemi në grup, shpresojmë t’i marrim pikët e plota dhe të vazhdojmë drejt objektivit tonë për kualifikim në Kampionatin Evropian”.

Edhe Faton Ademi foli për rëndësinë e ndeshjes ndaj Rumanisë: “Rumania është një kundërshtar shumë i rëndësishëm dhe mendoj se ndaj tyre duhet të synojmë patjetër pikët. Koha e përgatitjes është e shkurtër, por kemi cilësi në ekip dhe besoj se do të jemi gati për këtë sfidë”.

Ndërkaq, Igball Jashari theksoi mentalitetin fitues të skuadrës: “Jam gjithmonë i fokusuar te fitorja. Edhe pse është dita e parë e grumbullimit, stërvitjet po shkojnë shumë mirë. Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh dhe njihemi mjaft mirë me njëri-tjetrin. Shpresoj që të dalim me rezultate pozitive në këto dy ndeshje”. /Telegrafi/